Qemal Krasniqi, veprimtar politik dhe biznesmen nga radhët e LDK-së, do të garojë sërish për mandatin e pestë në Kuvendin Komunal të Prizrenit, shkruan 04 Online.
Aktiv në politikë që nga vitet 1989/90, ai është njohur për rezistencën ndaj okupimit serb, angazhimin humanitar gjatë luftës dhe mbështetjen për UÇK-në. Pas çlirimit, themeloi biznesin familjar në ndërtim dhe ka kontribuar edhe në arsim.
Krasniqi ka mbajtur disa pozita drejtuese në sport, përfshirë atë të Kryetarit të KF “Liria”, me të cilin arriti rikthimin historik në Superligën e Kosovës. Ai premton të vazhdojë angazhimin për zhvillimin e komunitetit, infrastrukturës dhe sportit në Prizren.
Kush është Qemal Krasniqi, ju ftojmë të lexoni një biografi të shkurtër
Qemal Krasniqi – Veprimtaria Politike, Biznesore dhe Sportive (1989 – sot)
Fillimet dhe rezistenca në vitet e okupimit
Qemal Krasniqi e nisi veprimtarinë e tij politike në një periudhë të vështirë për Kosovën. Në vitet 1989/90, kur situata politike dhe represioni serb u rëndua ndjeshëm, ai u bë pjesë e gjeneratës së parë që bojkotoi shërbimin ushtarak serb. Për shkak të këtij qëndrimi, u vu në shënjestër të ushtrisë dhe strukturave të pushtetit serb, duke u përballur me ndjekje dhe presione të vazhdueshme.
Që në moshë të re, në vitin 1989, u zgjodh Kryetar i Lidhjes së Rinisë Demokratike në Medvec, duke organizuar e mobilizuar rininë për veprimtari demokratike. Në vitet 1993/94, mori përgjegjësi të reja si Kryetar i Këshillit për Vetëfinancim, Kryetar i Forumit Rinor të LDK-së dhe Anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Medvec.
Angazhimi humanitar dhe përballja me persekutimin (1997 – 1999)
Gjatë viteve të luftës, Qemali u caktua Koordinator i Shoqatës “Nëna Terezë” dhe Koordinator i Këshillit për Emergjencë për rajonin e Përdrenasit, me qendër në Medvec. Ishin kohë të rënda, ku çdo aktivitet humanitar shihej si akt kundërshtie ndaj okupatorit.
Për veprimtarinë e tij, u arrestua dy herë nga pushtuesi serb, ku u maltretua dhe u rrah:
• Herën e parë si Kryetar i Këshillit për Financim, së bashku me veprimtarët Qamil Buzhala dhe Qazim Thaçi nga dega e Prizrenit.
• Herën e dytë si Koordinator i Këshillit për Emergjencë, ku fal ndërhyrjes së përfaqësuesve të OSBE-së, të cilët e mbrojtën 24 orë në vendin e punës, shpëtoi nga ndëshkimi më i rëndë.
Gjatë kësaj periudhe, Qemali ndihmoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – Brigadat 23, 24 dhe 25 – me ushqim, veshmbathje dhe mbështetje logjistike, duke qenë në kontakte të drejtpërdrejta me drejtuesit e tyre.
Paslufta dhe themelimi i biznesit familjar
Pas çlirimit, Qemali u përball me një realitet të ri – shtëpia e djegur, prona e shkatërruar nga pushtuesi, por me vendosmërinë për të rindërtuar jetën. Me ndihmën e familjarëve nga Zvicra, në vitin 2001 themeloi biznesin e tij familjar në ndërtim dhe infrastrukturë, i cili vijon me sukses edhe sot. Paralelisht, punoi edhe në arsim, sidomos në periudhat e vështira të pasluftës, duke kontribuar në edukimin e brezave të rinj.
Karriera politike pas luftës
Veprimtaria politike e Qemalit nuk u ndërpre asnjëherë.
• 2009 – Zgjidhet për herë të parë Anëtar i Kuvendit Komunal të Prizrenit, duke qenë një nga asamblistët më të rinj të atij mandati.
• Nga viti 2009 deri sot – Vazhdoi të rizgjidhej pa ndërprerje, gjithmonë nga vota e qytetarëve, duke përfaqësuar interesat e tyre në Kuvendin e Prizrenit.
• Që nga 2012 – Delegat i degës së LDK-së, delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së, anëtar i Kryesisë së Degës dhe Kryetar i Nëndegës në Medvec.
Angazhimi sportiv
Qemali ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në fushën e sportit, sidomos në zhvillimin e futbollit në Prizren:
• 1995 – Kryetar i klubit të futbollit “Bashkimi” në Medvec.
• 2005 – 2007 – Anëtar i Bordit të KF “Liria” Prizren.
• 2013 – 2016 – Nënkryetar i KF “Liria”.
• 2020 – 2023 – Kryetar i KF “Liria” Prizren, ku arriti sukses historik duke rikthyer klubin në Superligën e Kosovës.
Ky angazhim tregon përkushtimin e tij për të nxitur sportin si një vlerë të rëndësishme për komunitetin dhe rininë.
Angazhimi biznesor aktual
Sot, Qemali drejton biznesin e tij familjar në ndërtimin e infrastrukturës dhe mbetet aktiv në jetën shoqërore, politike e sportive të qytetit. Ai është i njohur për investimet e tij në projekte publike dhe përkrahjen e aktiviteteve që forcojnë komunitetin.
Rikandidimi për mandatin e pestë
Në zgjedhjet e ardhshme lokale, Qemal Krasniqi rikandidon për mandatin e tij të pestë në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Me një përvojë mbi tri dekada në politikë, me rrënjë të forta në komunitet dhe me një histori të pasur kontributi në periudha të vështira dhe zhvillimi, ai mbetet i përkushtuar për të shërbyer qytetarëve me ndershmëri, përvojë dhe vizion.