Presidenti Vladimir Putin deklaroi një ditë para përvjetorit të parë të agresionit në Ukrainë se vendi do të shtojë forcën e tij bërthamore. Deklarata e Putinit vjen pas njoftimit që ai dhe për pezullim të traktatit dypalësh të kontrollit të armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
“Ne do të vazhdojmë prodhimin masiv të sistemeve hipersonike Kinzhal me bazë ajri dhe do të fillojmë furnizimet masive të raketave hipersonike Zircon me bazë deti. Gjithashtu do të vazhdojmë të përmbysim forcat tona me teknologji të përparuar. Kemi sisteme të reja sulmi, pajisje për inteligjencën, drone dhe sisteme artilerie. Industria jonë tani po rrit me shpejtësi prodhimin e të gjitha llojeve të armëve konvencionale. Ushtarët tanë tani po luftojnë heroikisht neo-nazizmin që ka zënë rrënjë në Ukrainë, duke mbrojtur popullin tonë”.
Rusia do të fillojë stërvitjet ushtarake me Kinën në Afrikën e Jugut të cilat do të nisin të premten. Në prag të përvjetorit të 24 shkurtit të pushtimit të Ukrainës, Putini dhe presidenti amerikan Joe Biden u përfshinë në një përleshje verbale, duke vënë në pah tensionet globale mes superfuqive.
Teksa mbylli turin e tij në Europë Biden paralajmëroi se pezullimi i New Start ishte një gabim i madh, por u shpreh se SHBA nuk po mendon që të përdorë armë bërthamore. Një zyrtar i lartë rus i mbrojtjes ka bërë të ditur se Moska do t’i përmbahet kufizimeve të dakorduara për raketat bërthamore dhe do të vazhdojë të informojë Shtetet e Bashkuara për ndryshimet në vendosjet e saj.
Pas takimit me krerët e krahut lindor të NATO-s në Varshavë, Biden premtoi se Shtetet e Bashkuara “do të mbrojnë fjalë për fjalë çdo pëllëmbë të NATO-s”. Ndërkaq nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres denoncoi pushtimin e Rusisë si shkelje të Kartës themeluese të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare dhe dënoi kërcënimet e saj për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore. “Ne kemi dëgjuar kërcënime të nënkuptuara për përdorimin e armëve bërthamore. I ashtuquajturi përdorim taktik i armëve bërthamore është krejtësisht i papranueshëm “, tha Guterres.
Duke shënuar një vit të luftës, SHBA dhe BE u kërkuan vendeve të Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh të votojnë një rezolutë për paqen në Ukrainë, në një votim që Shtetet e Bashkuara thanë se do të shënojë në histori. Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Jose Borrell, vuri në dukje se kërcënimet bërthamore të Putin do të rrisin rrezikun që çdo vend tjetër në botë të përballet me një agresion të ngjashëm.
Në javët e fundit, Rusia ka shënuar sërish humbje në fushën e betejës. Forcat ukrainase zmbrapsën 90 sulme ruse në verilindje dhe lindje gjatë 24 orëve të fundit. Trupat ruse sulmuan afër Kupiansk në rajonin e Kharkiv dhe rreth Lyman, Bakhmut, Adviika në rajonin e Donetsk, ku, sipas ushtrisë ukrainase, Rusia po përqendron përpjekjet e saj sulmuese./KN