Punëtori i larguar nga puna padit ‘Eko-Regjionin’, kërkon 6 mijë euro paga

0
458

Arif Selimaj ka paditur Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Eko-Regjioni” në Prizren, pasi po pretendon se kundërligjshëm i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Ish-punëtori i kësaj kompanie përmes padisë të parashtruar në Gjykatën e Prizrenit, po kërkon që ky vendim të konstatohet si i jashtëligjshëm dhe t’i bëhet kompensimi i të ardhurave.

Ky rast po gjykohet nga gjykatësi, Taulant Rexhëbeqaj.

Në shqyrtimin përgatitor, i autorizuari i paditësit, Arbër Kolgeci ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesë padisë duke e konsideruar si të kundërligjshëm vendimin për shkëputjen e kontratës së punës.

Sipas Kolgecit, paditësi me të paditurën, kanë pasur kontratë pune deri më 30 dhjetor 2022, dhe e paditura në kundërshtim me ligjin i ka ndërprerë marrëdhënien e punës.

I autorizuari i paditësit, Arbër Kolgeci më tej ka sqaruar se paditësi vendimin e kishte atakuar tek komisioni por që e njëjti e kishte refuzuar.

“Arsyetimi i shkallës së parë është se paditësi ka ‘keqpërdorë pushimin mjekësor’. Paditësi konsideron se nuk ka bazë ligjore për këtë arsye. Po ashtu, në bazë të ligjit të punës punëdhënësi mund ta ndërprenë marrëdhënien e punës pa paralajmërim vetëm atëherë kur ky i fundit e merr në formë të shkruar përshkrimin e performancës së pakënaqshme. Në këtë çështje rezulton se këto dispozita nuk janë përfillur nga ana e të paditurës. Andaj i propozojmë gjykatës që të vendosë sipas kërkesë padisë”- tha Arbër Kolegeci.

Ndërkaq, i autorizuari i të paditurit, Murtez Rexhepi është mbështetur në përgjigjen në padi të datës 22 mars 2023.

Në përgjigjen në padi mes tjerash është theksuar se kërkesëpadia është e pabazuar dhe e pa mbështetur në fakte dhe prova.

Sipas të paditurës, të ardhurat e parealizuara të paditësit nuk janë katër paga siç pretendon, por vetëm një.

Në përgjigjen në padi, thuhet se paditësi pasi ka filluar të punojë, ka bërë mungesa të shumta pa paralajmërime dhe ka shfrytëzuar pushimin mjekësor ku brenda një viti paditësi ka munguar 94 ditë pune.

I njëjti sipas të paditurës gjatë kohës së pushimit mjekësor është gjetur duke punuar roje nga shërbimi kontrollues.

E paditura, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Eko-Regjioni”, po ashtu konsideron se vendimi i komisionit disiplinor me të cilin i ndërprehet marrëdhënia e punës është i drejtë dhe i ligjshëm, është i bazuar në dy raste disiplinore si dhe konform inspektoratit punëtorit i mungojnë vetëm dy paga, dhe jo shuma e pretenduar 6 mijë euro.

Në këtë gjykim nga palët janë paraqitur edhe prova të cilat duhet të administrohen në shqyrtimin kryesor.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 11 shtator 2023.

Sipas padisë, paditësi me të paditurën ka lidhur kontratë pune në kohë të caktuar nga data 11 shkurt 2022 deri më 31 dhjetor 2022.

E paditura përmes vendimit të datës 19 shtator 2022, ia ndërpret marrëdhënien e punës me arsyetim se i njëjti ka bërë shkelje të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme të detyrave.

Tutje në padi thuhet se brenda 8 dite paditësi ka paraqitur kundërshtim. Në lidhje me këto pretendime i refuzohet ankesa pranë të paditurës, duke e lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Paditësi konsideron se e paditura nuk ka përfillur dispozitat ligjore ngase punëdhënësi është i obliguar ta paralajmërojë për ndërprerjen e kontratës.

Paditësi po kërkon që të aprovohet padia, të anulohet vendimi i marrë nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Eko-Regjioni” dhe të obligohet e paditura që në emër të pagave të papaguar ta kompensojë në shumën e përgjithshme prej 6 mijë euro./Kallxo.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here