Sindikata e punëtorëve shëndetësorë në Kosovë ka dalë kundër grevës që aktualisht janë duke e mbajtur punëtorët e arsimit dhe ata të administratës e që është ftuar nga BSPK.
Sipas Federatës, punëtorët shëndetësorë nuk kanë arsye që të përfshihen në këtë grevë për shkak se ata tashmë janë duke e marrë shtesën prej 60 eurove dhe se Ligji i Pagave është proceduar në Qeveri.
“Kryesia e FSSHK-së në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 25.08.2022 pas shqyrtimit të situatës si dhe paralajmërimit të SBASHK-ut dhe Administratës për fillim të Grevës së Përgjithshme del me qëndrim kundër Grevës respektivisht nuk i bashkëngjitet Grevës për shkak se kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësor sepse punëtorët shëndetësor e gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk është arsye e mjaftueshme FSSHK të merr veprime sindikale sic janë Grevat për 40 euro gjithashtu se Ligji i Pagave është proceduar për miratim në Qeveri”- thuhet në njoftim.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga sot ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend. BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.
Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.
Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.
Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.