Dëshironi të jeni më kreativë? Provoni të bëni një shëtitje. Studiuesit thonë se një ecje e shkurtër ndikon direkt në pjesën e krijimtarisë, ndërsa shëtitjet e gjata veprojnë si terapi e mirëfilltë. Por, si?
Christian Rominger është studiues i psikologjisë në “Graz University”. Ai dhe kolegët e tij publikuan një studim vitin e kaluar që e quajtën: “Hap pas hapi për më shumë kreativitet: Numri i hapave në jetën e përditshme lidhet me performancën krijuese”. Ky studim shqyrtoi lidhjen mes ecjes, gjendjes së përgjithshme fizike dhe mendore, si dhe kreativitetit.
Studimi i nxiti pjesëmarrësit në periudha të rastësishme të ditës duke përdorur një aplikacion në telefonat smartphone që të masnin hapat, ndërsa u kërkuan që të përfundonin një vizatim të lënë gjysmë në mënyrë sa më kreative.
Studimi zbuloi se bërja e 500 hapave brenda pesë minutave ndikon direkt në një rritje të kreativitetit. “Njerëzit që ecin më shumë në përgjithësi, ishin më të mirë në detyrën e ideve krijuese dhe përfundimin e vizatimeve,” tha Rominger për Euronews Culture. Duket se edhe një shëtitje e shkurtër mund të ndihmojë në përmirësimin e të menduarit krijues.
Kjo do të thotë që edhe njerëzit që kanë bërë më pak hapa në përgjithësi gjatë ditës së tyre performojnë më mirë në detyrat krijuese se sa personat që nuk ecin fare. Studiuesit thonë se edhe vetëm 15 minuta në ditë, një shëtitje e shkurtër ndikon në shëndetin mendor dhe në punën tuaj krijuese.
Ecja në distanca të gjata shërben si terapi
Shëtitjet në natyrë, madje dhe vetëm kanë qenë shpesh një shërim për njerëzit që kalojnë nëpër kapituj të vështirë të jetës. Këto lloj shëtitjesh të gjata mund të ndihmojnë në vetëzhvillimin e një personi, sipas studiuesit Martin Mau, “University of Southern Denmark”, i cili ka publikuar disa punime mbi ecjen dhe rritjen personale.
“Ecja në distanca të gjata, për mua, ka të bëjë me hapjen mendore. Kjo është një mënyrë, ku çfarë ndodh mendërisht gjatë rrugës, ju nuk e dini paraprakisht,” thotë Mau. Një nga karakteristikat kryesore të përvojës së ecjes në distanca të gjata është natyra, të cilën ai e quan “një partner i heshtur”. Natyra pasqyron mendimin tonë.
Për më tepër, ecja është një rast i rrallë ku mund të shkëputemi nga një botë ku jemi gjithnjë e më shumë të ngarkuar, një vend i zhurmshëm dhe plot tension ku gjërat lëvizin shpejt dhe rrallë ka kohë për reflektim.