Kosova ishte goditur nga vala e teorive të konspiracionit rreth vaksinave në Ballkan – por tani ka përqindjen më të lartë të njerëzve të vaksinuar në rajon.
Teoritë e konspiracionit rreth vaksinave të COVID-19, të mëdha dhe të vogla, janë përhapur së bashku me virusin në mbarë botën – dhe kanë gjetur terren pjellor edhe në Ballkanin Perëndimor.
Kur filloi administrimi i vaksinave për herë të parë, shumë qytetarë të Kosovës raportuan se nuk i dëshironin ato, duke pasur frikë nga efektet anësore të supozuara si të rrezikshme ose fatale.
Por, në më shumë se një vit, situata ka ndryshuar, duke bërë që shumë njerëz të vaksinohen çdo ditë.
Kosova tani kryeson në Ballkanin Perëndimor sa i përket shkallës së vaksinimit, me 53 për qind të popullsisë të vaksinuar me një dozë dhe me 45 për qind që ka marrë dozën e dytë.
Vaksinimi në vend ka nisur në fund të marsit 2021 dhe që atëherë janë dhënë 1,747,719 doza të vaksinave, prej tyre 801,717 persona kanë marrë dozën e parë dhe të dytë kurse 44,143 të tjerë kanë marrë dozën përforëcuese dhe të tretë.
Besimi në shkencë dhe institucione, ndërgjegjësimi i publikut për rëndësinë e vaksinës, kufizimet e udhëtimit dhe të tjera masa për njerëzit e pavaksinuar mund të kenë qenë disa nga arsyet e ndryshimit, thonë ekspertët.
Anduena Berveniku, nga Prishtina, tha se nuk donte të merrte vaksinën në fillim, pasi doli shpejt dhe ishte ndikuar nga paralajmërimet që kishte lexuar në rrjetet sociale.
“Në fillim isha shumë e ndikuar nga ajo që lexoja në rrjetet sociale, kisha dilema se si doli kaq shpejt vaksina dhe nuk doja ta merrja me grupin e parë të qytetarëve të vaksinuar”, tha ajo për Prishtina Insight.
Por Berveniku ndryshoi mendje pasi pa se familjarët e saj nuk shfaqën ndonjë efekt anësor serioz dhe se do t’i duhej për të shmangur kufizimet në rritje.
“Pasi anëtarët e familjes sime morën vaksinat, u ndjeva e sigurt se shumë nga gjërat që lexova nuk qëndronin, dhe sigurisht që më duhej [vaksinimi] për punë dhe për të shmangur shumë kufizime të tjera”, tha ajo.
Abraham Aldama Navarrete, hulumtues i opinionit publik, nga Universiteti i Pensilvanisë, tha për Prishtina Insight se shumë faktorë diktojnë pse njerëzit vendosin të marrin vaksina apo jo.
“Ekziston një numër gjërash që mund të përcaktojnë gatishmërinë e njerëzve për t’u vaksinuar, për të besuar dhe ndarë dezinformata dhe teori konspirative”, tha ai.
Navarrete, i cili ka kryer kërkime mbi psikologjinë politike në vendet në zhvillim, tha se edukimi i popullsisë, qëndrimi i medias dhe strategjia e përcjelljes së mesazheve nga institucionet luajnë të gjitha një rol kyç.
“Këtu përfshihen njerëz që kanë besim paraprakisht në shkencë, çfarë lloj lajmesh shpërndahen në media, strategjinë e fundit të mesazheve për shëndetin publik dhe stimujt për t’u vaksinuar, të vendosura nga qeveria dhe sektori privat, ndër shumë të tjera”, tha ai.
Ndërsa në vendet e tjera evropiane, teoritë e konspiracionit kanë prekur rreth një të katërtën e popullsisë, në Ballkanin Perëndimor rreth 75 për qind e qytetarëve të intervistuar thonë se janë prekur nga të paktën një nga teoritë kryesore të konspiracionit, tregoi një studim nga BiEPAG në 2020.
Sipas këtij studimi, mbështetja për teoritë e konspiracionit lidhet gjithashtu me ndjenjat e përgjithshme ndaj ShBA-së dhe Kinës, ku grupet më të prirura për t’u bërë pre e teorive janë minoritetet.
Kosova tani prin për nga përqindja e popullsisë së vaksinuar, edhe pse ishte vendi i fundit në rajon që filloi vaksinimin masiv.
Gjithashtu është i vetmi vend në Ballkan që përdor vetëm llojin Pfzier dhe AstraZeneca, ndërsa vendet e tjera në rajon përdorin gjithashtu vaksinat ruse dhe kineze.
Nga të qenit vendi i fundit tek i pari sa i përket vaksinimit
Tena Prelec, hulumtuese nga Universiteti i Oksfordit, gjithashtu një nga autoret e studimit të Biepag, thotë se përqindja e lartë e vaksinimit në Kosovë reflekton besimin që qytetarët ndjejnë në institucionet e tyre.
“Shkalla më e lartë e vaksinimit në Kosovë duhet parë në lidhje me besimin e saj të lartë në institucione. Në të gjithë rajonin, ekziston një korrelacion i fortë i besimit në institucione dhe vullnetit për të marrë vaksinën”, tha Prelec për Prishtina Insight.
Ajo shtoi se këtu luan një rol edhe niveli i lartë i besimit në BE dhe në demokracinë perëndimore. “Kosova shquhet si vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë që mendojnë se vendet demokratike e trajtuan më së miri krizën me COVID-19”, shtoi ajo.
“Të anketuarit kosovarë kanë besimin më të madh te BE-ja kur bëhet fjalë për akterët që pritet të ndihmojnë më së shumti në të ardhmen në drejtim të tejkalimit të krizës së COVID-19 (56 për qind e popullsisë). Tre nga katër qytetarë të Kosovës gjithashtu besojnë plotësisht në anëtarësimin në BE si perspektivën më të mirë të së ardhmes për vendin e tyre, gjë që është në kontrast me Serbinë, ku vetëm një në katër të anketuar deklarojnë të njëjtën gjë”, tha Prelec.
Sipas saj, serbët në Kosovë kanë më pak besim në teoritë e konspiracionit të lidhura me Kinën sesa pjesa tjetër e vendit për shkak të lidhjeve të ngushta të Serbisë me Pekinin.
“Qytetarët me etni serbe në Kosovë shprehin një besim më të ulët në teoritë e konspiracionit të lidhura me Kinën sesa grupet e tjera etnike: kjo duhet parë në sfondin e propagandës së fortë pro-kineze të zhvilluar në mediat serbe”, vuri në dukje ajo.
Rezistenca fillestare ndaj vaksinave ra me shpejtësi
Kosova për herë të parë u furnizua me një sasi të vogël të vaksinave në mars të vitit 2021. Gjatë verës së vitit 2021, atë kohë pak njerëz në Kosovë dukeshin të interesuar për vaksina, pasi ishte kohë pushimi dhe numri i rasteve ishte ulur.
Raportimet se vaksina AstraZeneca shkakton mpiksje gjaku bëri që shumë qytetarë të Kosovës që në fillim të kundërshtonin këtë vaksinë.
Por në fund të verës pati një shkallë alarmante të vdekshmërisë, si dhe një numër shumë të lartë infeksionesh. Kjo inkurajoi më shumë njerëz të vaksinohen.
Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë sugjerojnë se marrja e gjilpërave ishte më e larta tek amviset, me mbi 300 mijë doza tek kjo kategori.
Ilmi Kasabaqi, një pensionist nga Prishtina, thotë se edhe pse i moshuar dhe i pambrojtur, ka pasur dilemë për vaksinimin, pasi ka lexuar se vaksinat “vrasin” të moshuarit.
“Në fillim nuk doja ta merrja atë vaksinë, pas gjithçkaje që pashë të shkruar në media. Kam lexuar diku se vaksina përshpejton vdekjen e të moshuarve, ndaj nuk u ndjeva rehat”, tha ai.
Kasabaqi ndryshoi mendje pasi gruaja e tij mori vaksinën më herët dhe pa të moshuarit e tjerë që nuk vuanin pasoja të këqija.
“Kam ndryshuar mendje kur pashë që gruaja ime e cila ishte vaksinuar më herët se unë nuk kishte ndonjë efekt anësor të madh, përveç disa simptomave të gripit, dhe pashë gjithashtu disa fqinjë këtu që janë shumë më të vjetër se unë, ia dolën lehtë”, tha ai.
Ky artikull së pari është publikuar në Prishtina Insight