Pse kemi shumë ndjekës dhe pak pëlqime në rrjetet sociale?

0
82

Në botën virtuale, shpesh hasim një paradoks të thellë: numri i madh i ndjekësve, miqve dhe kontakteve në rrjetet sociale shpesh shoqërohet me një mungesë të ndjeshme reagimesh dhe pëlqime të vakëta, komente të rralla dhe mbështetje pothuajse inekzistente. Kjo dukuri nuk është thjesht një rastësi, por pasqyron dinamikat komplekse të xhelozisë, konkurrencës dhe natyrës njerëzore në një epokë ku marrëdhëniet virtuale janë shpesh më të brishta dhe më të ftohta se sa duken. Ajo na detyron të reflektojmë mbi vlerën e vërtetë të lidhjeve tona dhe mbi mënyrën se si ndikojnë këto ndërveprime në psikologjinë dhe jetën tonë shoqërore.

Interesi për jetën tuaj, por jo për suksesin tuaj

Shumë njerëz ndjekin të tjerët nga kureshtja, jo për t’i mbështetur, por për të kënaqur një nevojë për kontroll, krahasim apo edhe zili. Ata janë aty për të mbikëqyrur çdo detaj të jetës suaj, ku jeni, çfarë bëni dhe si po zhvillohet jeta juaj, pa treguar shenja të vërteta mbështetjeje. Në fakt, sa më shumë stabilitet, lumturi apo suksese të reflektoni, aq më të zbehta bëhen reagimet e tyre. Kjo sjellje lidhet me ndjenjat e krahasimit dhe vështirësinë për të pranuar suksesin e dikujt tjetër, veçanërisht nga ata që ndihen më pak të realizuar në jetën e tyre.

Pse miqtë virtual nuk japin pëlqime?

            •           Xhelozia e heshtur: Shumë njerëz nuk pëlqejnë postimet tuaja, jo sepse nuk i shohin, por sepse ndihen të cenuar nga sukseset tuaja. Një “like” për ta është një formë miratimi publik, dhe kjo mund t’i bëjë të ndihen inferiorë.

            •           Konkurrenca e fshehur: Në një botë ku të gjithë duan të shfaqen të suksesshëm, të lumtur dhe të arrirë, disa preferojnë të mos japin asnjë lloj vëmendjeje atyre që duken të tillë. Ata mendojnë se duke mos reaguar, e minimizojnë ndikimin tuaj.

            •           Marrëdhënia sipërfaqësore: Shumica e “miqve” në rrjetet sociale nuk janë miq të vërtetë. Ata janë aty thjesht për të plotësuar listën e tyre të kontakteve, pa pasur ndonjë ndjenjë reale afërsie ose respekti për ju.

Rrënjët psikologjike të kësaj sjelljeje

Xhelozia dhe zilija janë ndjenja të rrënjosura thellë në natyrën njerëzore, veçanërisht në një botë që promovon krahasimin konstant. Në rrjetet sociale, gjithçka duket e bukur, e shndritshme dhe perfekte. Kur dikush sheh një postim që reflekton lumturi, sukses apo progres, ai ndonjëherë e interpreton atë si një pasqyrë të dështimeve ose mungesave në jetën e tij. Në vend që ta përkrahë dhe ta pëlqejë, ai zgjedh të tërhiqet dhe të mbetet indiferent ose më keq, të zhvillojë ndjenja negative për personin që ka postuar.

Mbështetja që vjen kur jeni të dobët

Interesant është fakti se shumë nga këta individë që heshtin për sukseset tuaja bëhen papritur aktivë kur jeni në momente dobësie, humbjeje ose vuajtjeje. Për shembull, nëse postoni për një sëmundje, një fatkeqësi personale ose një rast humbjeje (si vdekja e një të afërmi), reagimet shpesh vërshojnë. Ky fenomen ndodh për disa arsye:

            •           Ndjenja e epërsisë: Disa individë ndihen më mirë për veten kur shohin të tjerët në situata të vështira. Një postim që reflekton dobësi nuk u krijon ndjenjën e konkurrencës.

            •           Nevoja për të treguar “mirësinë”: Në momente tragjike, disa njerëz reagojnë për të ndërtuar një imazh publik të empatisë dhe dhembshurisë, edhe nëse ajo nuk është e sinqertë.

            •           Kurioziteti: Vuajtja juaj mund të jetë një temë diskutimi për të tjerët, dhe reagimi i tyre shpesh buron thjesht nga dëshira për të ditur më shumë, jo nga dhembshuria reale.

Miq të rremë dhe mbështetje e vërtetë

Të kesh shumë ndjekës ose miq në rrjetet sociale nuk do të thotë të kesh shumë mbështetës të vërtetë. Kjo dinamikë ndriçon dallimin mes miqve të vërtetë dhe miqve të rremë. Miqtë e vërtetë janë ata që do të qëndrojnë aty për ju jo vetëm në momente të vështira, por edhe për të festuar sukseset tuaja. Miqtë e vërtetë janë ata që do të pëlqejnë, komentojnë dhe ndajnë sukseset tuaja me gëzim, pavarësisht se ku janë dhe çfarë ndjejnë për veten. Ata nuk ndihen të kërcënuar nga lumturia juaj dhe nuk kanë nevojë të fshehin mirënjohjen. Miqtë e rremë janë ata spektatorë të heshtur që ndjekin çdo hap të jetës suaj, jo për të festuar arritjet apo sukseset tuaja, por për të pritur momentin e dështimit, duke ushqyer ndjenjat e zilisë dhe kënaqësisë së tyre të fshehur që reflektojnë pasigurinë e tyre personale.

Si duhet të reagojmë?

            •           Fokusohu dhe vlerëso mbështetësit e vërtetë, sepse nuk ka rëndësi sa janë në numër, por cilësia dhe sinqeriteti i përkrahjes që të japin. Njerëzit që të qëndrojnë pranë me zemër të pastër, qoftë me fjalë, qoftë me veprime, janë pasuria jote më e madhe.

            •           Mos u zhgënje nga indiferenca apo heshtja, sepse ndikimi yt nuk matet me numrin e pëlqimeve, por me vlerën që përmbajtjet tua sjellin për ata që kanë vërtet nevojë për to, përtej fasadës së rrjeteve sociale.

            •           Kupto dhe prano realitetin e rrjeteve sociale, shumica e njerëzve janë aty për interesat e tyre personale dhe jo për të të ndihmuar apo mbështetur në rritjen tënde.

Për ata që ndihen të lënduar nga mungesa e pëlqimeve

Nëse e gjeni veten të ndjeshëm ndaj indiferencës në rrjetet sociale, mos harroni që vlera juaj nuk matet me reagimet virtuale. Ju jeni shumë më tepër se një numër pëlqimesh. Në këtë botë virtuale, miqësitë e vërteta janë ato që mbeten të pandryshuara përtej ekranit. Fokusoni vëmendjen tënde te ato që i japin kuptim jetës suaj reale, marrëdhëniet e sinqerta, zhvillimi personal dhe dashuria për veten. Mos harroni, secili prej nesh ka një dritë unike për të ndarë me botën, dhe ndonjëherë, ndikon më shumë tek ata që heshtin sesa tek ata që shprehin publikisht mbështetjen. Besoni në veten tuaj dhe vazhdoni të shpërndani përmbajtje që pasqyron sinqeritetin dhe pasionin tuaj, ndikimi juaj është më i madh nga sa mund ta imagjinoni. Çdo hap përpara është një fitore e juaja, pavarësisht nëse të tjerët zgjedhin ta shohin apo jo.

Si përfundim

Nëse e ke vënë re këtë fenomen, shiheni si një shenjë të suksesit tuaj. Numri i pëlqimeve nuk përcakton vlerën tuaj. Ai shpesh pasqyron pasiguritë dhe xhelozitë e të tjerëve, jo suksesin tuaj të vërtetë.  Fakti që dikush zgjedh të mos ju pëlqejë tregon që ndikimi juaj është aq i fuqishëm sa shkakton një reagim emocional, edhe nëse është negativ.  Miqtë e vërtetë do të jenë aty për ju, pavarësisht nëse jeni duke kaluar një moment triumfi apo një periudhë të vështirë. Ndërsa ata që heshtin për sukseset tuaja dhe flasin për dështimet tuaja, tregojnë më shumë për veten e tyre sesa për ju.

P.S. Ky shkrim është bërë pas pyetjeve të shumta dhe kërkesave për të sqaruar këtë fenomen edhe nga prizmi psikologjik.

Shkruan: Dr. Sc. Latif Hoxha – Psikolog Klinik Specialist

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here