Pse Hashim Thaçi ishte figura e duhur për ta shpallur Pavarësinë e Kosovës?

0
67

Prej vitesh, më ka rastisur të dëgjoj plot njerëz tek thonë se pavarësia do të duhej të ishte shpallur nga Presidenti Sejdiu apo Kryekuvendari Krasniqi, e jo nga Hashim Thaçi. Kjo për shkak se sipas hierarkisë shtetërore dhe Kornizës Kushtetuese të UNMIK-ut, Presidenti dhe Kryekuvendari qëndronin sipërisht mbi Kryeministrin në hierarkinë institucionale.

Mirëpo,” thonë ata, “Thaçi e përmbysi këtë hierarki moderne përmes forcës, kërcënimit dhe dinakërisë fisnore. Të drejtën që ligji modern i UNMIK-ut ua dha Sejdiut e Krasniqit, ia mori pushteti mesjetar e primitiv i Thaçit”.

Edhe në këtë përvjetor të pavarësisë pamë një valë të re të sulmeve vitrolike mbi të vërtetën.

Për t’i rënë shkurt e shqip, në zemër të këtij këndshikimi të përmbysur qëndron një gënjeshtër e kulluar, ashtu siç ishte sajuar fillimisht nga LDK-ja e pastaj edhe nga Vetëvendosja.

Sa për fillim, shpallja e pavarësisë nuk është bërë as nga Kuvendi, as nga Presidenca, e as nga Qeveria.

Kjo për arsyen e thjeshtë se këto institucione kanë qenë të themeluara dhe kanë funksionuar në kuadër të Rezolutës 1244.

Sipas kësaj rezolute, çdo vendim i këtyre institucioneve, përpara se të hynte në fuqi, duhej dorësëpari të miratohej nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i njohur ndryshe edhe si Kryeadministrator i Kosovës.

Asokohe, ky funksion ushtrohej nga diplomati gjerman, Joachim Rücker.

Në bazë të Kornizës Kushtetuese, Përfaqësuesi Special në tagrin e vet kishte pushtetin të mbikëqyrë dhe, në rrethana të caktuara, të shfuqizojë vendimet e atyre që njiheshin si Institucione të Përkohshme të Vetëqeverisjes.

Në disa raste, veçmas në meskohën prej 2002 deri më 2005, kur Kuvendi i Kosovës ndërmori nisma për të shtyrë përpara pavarësinë e Kosovës, Përfaqësuesi Special i kishte shpallur si të papajtueshme me Kornizën Kushtetuese nëpërmjet argumentit se ato “dilnin përtej fushëveprimit të kompetencave [të Kuvendit]” (Dosja e Kombeve të Bashkuara nr. 189, 7 shkurt 2003), dhe, rrjedhimthi, edhe jashtë kompetencave të Kuvendit të Kosovës.

Për ta shmangur këtë kokolepsje, Kosova nuk e shpalli pavarësinë përmes institucioneve, por në një mënyrë fort kreative, e shestuar asisoj që të mos shfuqizohej nga OKB-ja dhe që të kalonte testin juridik në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Merret me mend, kjo ishte bërë edhe me rekomandimin dhe këshillat qëllimmira të partnerëve ndërkombëtarë në krye me ShBA-në.

Kjo shembullzohet më së miri nga disa veçori të tekstit të Deklaratës dhe rrethanat e miratimit të saj.

Pikësëpari, në tekstin origjinal shqip të Deklaratës (që është teksti i vetëm burimor) nuk përmendet askundvend se shpallja është vepër e Kuvendit të Kosovës. Fjala “Kuvendi i Kosovës” shfaqet në krye të shpalljes vetëm në përkthimet në anglisht dhe frëngjisht, të përfshira në dosjen e dorëzuar në emër të Sekretarit të Përgjithshëm.

Le të vëmë llupën mbi disa dromca nuancore të tekstit. Siç argumenton GJND-ja, gjuha e përdorur në Deklaratë ndryshon nga ajo që përdorej në vendimet e Kuvendit të Kosovës. Ky dallim vërehet qysh në paragrafin e parë, i cili fillon me frazën “Ne, udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike…”. Në anën tjetër, në vendimet e mëhershme të Kuvendit të Kosovës përdorej veta e tretë njëjës.

Për më tepër, GJND-ja sqaron se procedura e përdorur në lidhje me shpalljen ndryshonte nga ajo për miratimin e legjislacionit nga Kuvendi i Kosovës. Në veçanti, Deklarata është nënshkruar nga të gjithë të pranishmit në shpallje, duke përfshirë edhe Presidentin e Kosovës, i cili nuk ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Prandaj, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, ndryshe nga herat e kaluara, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm heshti. Kjo jep dorë të besohet se ai nuk konsideronte se shpallja ishte një vendim i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes i krijuar për të hyrë në fuqi brenda Rezolutës 1244, për të cilën ai ishte përgjegjës.

Njashtu, Deklarata nuk i është përcjellë fare Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm për publikim në Gazetën Zyrtare, siç ndodhte me vendimet tjera të institucioneve të Kosovës nën UNMIK.

Duke i përmbledhur së toku këto konsiderata, gjuha e Deklaratës tregon se autorët e shpalljes nuk kanë synuar të veprojnë brenda kornizës standarde të vetëadministrimit të përkohshëm të Kosovës, por kanë synuar krijimin e Kosovës “si shtet i pavarur dhe sovran”.

Kështu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pra, në opinionin e saj më 22 qershor 2010 doli në përfundimin se: “Duke marrë parasysh të gjithë faktorët së bashku, autorët e deklaratës së pavarësisë të 17 shkurtit 2008 nuk kanë vepruar si një nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes brenda Kornizës Kushtetuese, por më tepër si persona që kanë vepruar së bashku, në cilësinë e tyre si udhëheqës të popullit të Kosovës, jashtë kornizës së administratës së përkohshme”.

Ajo këtë e precizon, e bardha në të zezë, në Kapitullin e saj të Katërt, Pika B, Paragrafët 104, 105, 106, 107, 108 dhe 109, në faqet 46, 47, 48 dhe 49.

Nuk është puna se fjalët e Marc Wellerit, këshilltar i Kryeministrit Albin Kurtit, i japin fund këtij diskutimi, por gjithsesi ato mund të përdoren për të shtjelluar atë që veçse dihet:

Më thelbësisht, Gjykata pranoi se deklarata e pavarësisë del gjithmonë dhe domosdoshmërisht nga rendi juridik nga i cili kërkon të ndajë subjektin shpallës. Prandaj, vendimi nuk mund të vlerësohet në mënyrë të arsyeshme sipas atij rendi juridik: Gjykata vlerëson se autorët e asaj deklarate nuk kanë vepruar, e as nuk kanë synuar të veprojnë, në cilësinë e një institucioni të krijuar dhe të autorizuar për të vepruar brenda atij rendi juridik, por përkundrazi, vendosën të miratonin një masë, rëndësia dhe efektet e së cilës do të binin jashtë këtij urdhri.

Nga kjo mund të kuptojmë se, më 17 shkurt, nuk u përdor as protokolli, as procedura e as formalitetet e Rezolutës 1244. Pavarësinë nuk e shpalli Kuvendi, prandaj nuk ishte nevoja të përdorej Rregullorja e tij që favorizonte Kryekuvendarin.

Nuk e shpalli as Presidenca, prandaj nuk pati protokoll të saj.

Nuk e shpalli as Qeveria.

E bënë thjesht udhëheqësit e popullit, me Hashim Thaçin në krye.

Kredencialet e Thaçit si Drejtor Politik i UÇK-së, si udhëheqës i Delegacionit kosovar në Rambuje, ashtu sikundër edhe rrethana që ai ishte politikani më i votuar dhe figura më e pushtetshme, ishin mjaftueshëm me peshë edhe për qytetarët e Kosovës, edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Vetëm Ibrahim Rugova mund të kishte deri diku këtë staturë përballë tij, por tanimë ai veçse kishte vdekur.

Në anën tjetër, pasardhësi i Rugovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-kryeministrat Kosumi e Çeku nuk e kishin peshën e duhur politike për të qenë kandidatë për një ndërmarrje të tillë.

Afërmendsh, një ngjarje kaq e rëndësishme nuk mund të mbahej peng i protokolleve të një protektorati ndërkombëtar.

Është paradoksale, nëse jo dashalige, që mu ata që bënin sikur e fshikullonin UNMIK-un si mision neokolonial, tani ngulmojnë se protokollet, ligjet dhe formalitetet e tij duhej t’i ishin mbivendosur vullnetit politik të popullit të Kosovës për vetëvendosje.

Kështu, emri i Hashim Thaçit ishte përgjigja e pakontesueshme dhe e merituar rreth pyetjeve se kush duhej ta shpallte pavarësinë e Kosovës.

Për vite me radhë, kjo ishte temë e pakontestuar, derisa Albin Kurti dhe Vetëvendosja filluan prej havaje ta lëshonin me çikrik pohimin se Thaçi e paska uzurpuar privilegjin për shpalljen e pavarësisë.

Sigurisht, kjo nuk është vetëm një arritje e tij jetësore, por mbi të gjitha momenti kulmor i aspiratave të Kosovës për Republikë.

Shpallja e pavarësisë ishte bërë derisa në sfond dëgjoheshin të rrahurat e zemrave të gjyshërve e stërgjyshërve tanë që u flijuan dhe vetëmohuan për këtë ditë, ndërkohë që qytetarët e Kosovës me entuziazëm vërshuan rrugët për të festuar këtë ngjarje që ndodh vetëm një herë në histori.

E mbyllur në qymezin e vet në lagjen ‘Pejton’, duke e përjetuar si zi, si makth ekzistencial, vetëm Vetëvendosja asokohe nuk pati zemër t’i bashkohej kremtes së madhe. Ajo ishte bërë pikë e vrerë pse shpirti i kohës dhe mendjet e guximshme e çanë rrugën përpara duke mos përfillur keqleximet e mistifikimet që i bënte Kurti e pasuesit e tij.

Kosova arriti të drejtën e vetëvendosjes kur shpalli pavarësinë dhe Vetëvendosja mbeti pa kauzën që mbante emrin e saj.

E, pikërisht për shkak të kësaj smire deri në helmatisje të shpirtit, ajo sot përfaqëson kundërprojektin e së vërtetës dhe po përçapet që nipërit, mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat e së sotmes dhe nesërmes t’i indoktrinojë, t’i mashtrojë e t’i rritë me alternativën e lehtë të profkave, dokrrave e frymës mohuese.

Mirëpo, zemra e shpirtrave të lirë, integritetit dhe lirisë vazhdon të pulsojë edhe sot dhe nuk ka fuqi në botë që i ndalon regëtimat e saj.

Prandaj, në fund e vërteta dhe luftëtarët e saj do të fitojnë, kurse luftuesit e saj do të turpërohen.

Shkruan: Shkodran Ramadani

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here