Sado komode të tingëllojë një shtëpi e ngrohtë, ajo mund të shkaktojë të gjitha llojet e problemeve të lëkurës, duke përfshirë përkeqësimin e problemeve ekzistuese, si ekzema dhe psoriaza. Sipas ekspertëve, ngrohja qendrore është një nga faktorët më të mëdhenj që kontribuon në tharjen e lëkurës gjatë muajve të dimrit.
“Janë në të vërtetë shprehitë tona të jetesës që ndryshojnë me moshën, jo lëkura jonë. Përveçse bëjmë më pak ushtrime dhe hamë më pak ushqim të shëndetshëm, ne jemi gjithashtu të ekspozuar ndaj ngrohjes qendrore që e than lëkurën dhe sa më ftohtë të jetë jashtë, aq më keq është”, citon revista Glamour.
Ashtu si ajri i kondicionuar, ngrohja qendrore redukton nivelet e lagështisë në ajër, duke bërë që lëkura të bëhet e thatë. “Ngrohja qendrore shton një nivel shtesë stresi në menaxhimin e lëkurës së thatë, gjë që është veçanërisht problematike kur keni sëmundje para-ekzistuese të lëkurës si psoriaza ose ekzema”,-ka shpjeguar Adam Friedmann, dermatolog konsulent për Stratum Dermatology Clinics.
Shenjat paralajmëruese se lëkura juaj mund të jetë shumë e thatë janë nëse është e ashpër në prekje. Përveçse shkakton kushte të thata brenda, ngrohja qendrore shkakton probleme edhe për shkak të kontrastit të temperaturave të jashtme. Ndryshimi i temperaturës nga e ngrohtë dhe e rehatshme brenda në të ftohtë jashtë, shkakton gjithashtu zgjerimin e enëve të gjakut, duke përkeqësuar gjendjen e akneve.
Aknet në pjesë të caktuara të trupit mund të sinjalizojnë probleme me të cilat po lufton trupi juaj. Aknet rreth gojës mund të shfaqen nëse lëkura në këtë zonë është e irrituar, ose e prekim shpesh me duar, celular ose objekte të tjera. Shkak mund të jenë po ashtu edhe produkte të ndryshme kozmetike dhe produkte fytyre, por edhe hormonet dhe gjenetika. Aknet e faqeve janë gjithashtu një problem shumë i zakonshëm, veçanërisht tani që të gjithë kemi celularë me të cilët prekim fytyrën.