Është koha e ditëlindjes! Një kohë për të festuar mungesën e vdekjes që nga momenti i lindjes dhe deri tani. Pra një moment për të festuar. Një kohë për të hedhur një vështrim përreth, dhe për të bërë një bilanc të arritjeve tuaja të panumërta.
Po pse disa njerëz trishtohen atë ditë? Kjo ka shumë gjasa të ndodhë nëse pritshmëritë janë shumë të mëdha. Luçia Montezi, psikologe klinike në Macerata, Itali, thotë se “kultura sot e ekzagjeron rëndësinë e rinisë, bukurisë dhe efikasitetit, si kritere që përcaktojnë vlerën e një personi dhe aftësinë e tij për t’u vlerësuar apo edhe për t’u dashur nga të tjerët”.
Kjo, plus kujtimi i një fëmijërie që mund të mos ketë qenë shumë e lumtur, e kombinuar me pritshmëritë e nënkuptuara shoqërore për përparimin personal dhe profesional në moshën në moshën 25, 30, 35, 40, etj, dhe ja ku keni arsyen e atij që quhet “depresioni i ditëlindjes”.
Medical News Today e përshkruan si “depresion të ditëlindjes” ndjenjën e lodhjes ose ankthit në ditët para dhe pas konsumit të tortës së festës apo dëshirës për të shmangur njerëzit. Sipas Psych Central, rritja e nervozizmit, vështirësia në përqendrim dhe mosinteresimi për aktivitetet e pëlqyera më parë mund të jenë një shenjë e “depresionit të ditëlindjes”.
Por një shenjë tjetër është fiksimi mbi ngjarjet e kaluara dhe frika nga vdekja. Shumë njerëz i kanë shumë qejf ditëlindjet kur janë të vegjël, dhe më pas nisin t’i urrejnë me kalimin e moshës. Gama gjithnjë e më të madhe e të vërtetave të hidhura të jetës, është një arsye madhore për turbullimin psikologjik gjatë festimit të ditëlindjeve.
Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ndonjë ngjarje specifike – humbja e punës, ndarja me një partner etj – ndodh ose ka ndodhur dikur afër ditëlindjes. Frika nga plakja, është një faktor shumë i rëndësishëm se përse njerëzit trishtohen mbi ditëlindjen e tyre.
Tek e fundit, çdo vit jetë që kalon, është një vit më afër vdekjes dhe varrit. Por Medical NewsToday sugjeron vendosjen e një “kufiri mbi trishtimin” për ndjenja të tilla. Perspektiva ndryshon gjithçka, dhe perspektiva është gjithmonë në kontrollin e cilitdo nga ne.
Po ashtu rekomandohet të keni pritshmëri realiste, t’u tregoni njerëzve të afërt se si ndiheni vërtet, dhe të përpiqeni të mësoni diçka nga trishtimi juaj. Shumë me rendësi është vendosja e objektivave për të ardhmen. Madje ekspertët sugjerojnë të shkruani mbi gjëra të tilla si “Çfarë mësova vitin e kaluar?” ose “Çfarë dua që të mësoj këtë vit?”./Grunge