Protesta për UÇK-në, Spiropali: Ne jemi bashkë në një thirrje e një besim, Liria ka emër

0
80

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar për protestën gjithëkombëtare që do të mbahet të premten, më 17 tetor, në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Spiropali ka theksuar se të gjithë shqiptarët do të jenë të bashkuar në Tiranë “si një zemër” kundër padrejtësisë.

Ajo ka kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar drejtësia ndërkombëtare ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke e quajtur atë “alkimi djallëzore të shndërrimit të heronjve në vrasës”.

Spiropali ka shtuar se protesta e 17 tetorit në sheshin “Skënderbej” do të jetë një zë i fuqishëm për drejtësi dhe liri.

Postimi i plotë:

Zemrat Kuqezi kundër Padrejtësisë!

Në këtë shekull të shqiptarëve, liria nuk mund të jetë e plotë me pranga në duart e çlirimtarëve. Me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin në qeli, ndërgjegjja kombëtare nuk mund të jetë e qetë dhe padrejtësia do të ketë ende hise në hakun e shqiptarit.

Alkimia djallëzore e shndërrimit të heronjve të djeshëm të moralit dhe aleatëve euroatlantikë, në vrasës, e kthimit përmbys me truke e trike juridike e të vërtetave historike, shpërblimi i agresorit të djeshëm me rivrasjen e viktimës është më shumë se kriminale. Ajo duhet të marrë fund ashtu siç nisi, menjëherë dhe pa kushte.

Në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë e kudo ku rreh zemra e shqiptarit, ne jemi bashkë në një thirrje e një besim: Liria ka emër!

Liria ka emrin e çlirimtarëve të djeshëm dhe luftëtarëve të sotëm, që ndeshen për shumë më shumë se lirinë personale.

Po ndeshen për të vërtetën, kujtesën historike dhe të drejtën e një populli që nuk ka marrë shpagim e as nuk kërkon hakmarrje, por do, lutet e kërkon të marrë e do të marrë, vetëm drejtësi.

Në 17 tetor zemra e shqiptarëve anë e mbanë botës, kudo ku i ka çuar fati e kudo po ndërtojnë fatin e tyre, do të rrahë në sheshin Skënderbej.

Nën hijen e Heroit Kombëtar, ne do të protestojmë kundër padrejtësisë që prek të gjithë shqiptarët, çojmë zërin tonë në Hagë duke kërkuar kthimin në liri të çlirimtarëve.

Ajo që lindi si gjykatë speciale e parimeve të së drejtës nuk mund të jetë pafundësisht sinonim i padrejtësisë e turp i drejtësisë ndërkombëtare, që kërkon të përmbysë historinë, të relativizojë të vërtetën, të përdhosë sakrificën përmes padrejtësive proceduriale, paraburgimit të zgjatur pa gjyq.

E mbi të gjitha kur sot, ka vetëm një grusht akuzash të pabaza, të pafaktuara, pjellë e një raporti të diskretituar tanimë si prodhim fantazie nga hetimet serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i fortë dhe i pandashëm në përkrahje të Republikës së Kosovës, por edhe në denoncimin e kësaj padrejtësie, deri në kthimin në shtëpi të luftëtarëve.

Të premten në 17 tetor, në sheshin “Skënderbej”.

Shqiptarët bashkë për Lirinë! Për Drejtësinë! Për Kosovën!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here