Një incident i rrallë dhe i rëndë ndodhi sot në shkollën e fshatit Shirok në Suharekë, ku një polic vrau qenin që u fut brenda objektit dhe sulmoi katër nxënës.
Pronari i qenit u arrestua dhe përfundoi në mbajtje, ndërsa Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari që u arrestua dyshohet se ka lënë pa përkujdesje qenin, duke shkaktuar kështu rrezik të përgjithshëm.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u prangos për këtë rast është Hasan Gjesha, rreth 39-vjeçar.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.
Dy nga katër nxënësit që u lënduan kanë marrë plagë më serioze dhe po trajtohen në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ndërsa dy të tjerët janë liruar.
“Dy nxënës që kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, njëri prej të cilëve ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit, derisa dy nxënës tjerë kanë marrë lëndime të lehta nga largimi ndaj sulmit” – njoftoi Policia.
Në një përgjigje për Sinjalin, nga Policia kanë thënë se intervenimi i shpejtë i patrullës policore mënjanoi rrezikun e mëtutjeshëm.