Prokuroria: Një pjesëtar i komunitetit rom është sulmuar në Prizren, po analizohen video-incizimet

0
75

Prokuroria është deklaruar për një rast të tmerrshëm që ka ndodhur para disa ditësh në qytetin e Prizrenit ku një anëtar i komunitetit rom është sulmuar.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti, i ka thënë Gazetës Express se është hapur rast dhe po ndërmerren veprime hetimore.

Ajo ka shtuar se janë siguruar video-incizime, të cilat po analizohen.

“Lidhur me rastin, konfirmojmë se viktima e përfshirë në rastin në fjalë është pjesëtar i komunitetit rom. Prokuroria Themelore në Prizren, ka hapur rastin dhe janë ndërmarrë veprime hetimore fillestare. Aktualisht janë siguruar video-incizimet të cilat po analizohen nga prokuroria dhe policia. Pasi të bëhet identifikimi i personave të dyshuar, do të ndërmerren veprimet e mëtejme në përputhje me dispozitat ligjore”, ka thënë ajo për Express.

Dje Radio Romano Avazo në Facebook ka njoftuar për rastin, duke thënë se dy të rinj me motoçikleta i janë afruar viktimës dhe i kanë kërkuar para. Pasi ai s’ka pasur para t’i japë, njëri prej të dyshuarve e ka goditur me shqelm në fytyrë duke ia thyer nofullën.

“Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur afërsisht një javë më parë në qytetin e Prizrenit, ku një anëtar i komunitetit rom është sulmuar brutalisht në orët e para të mëngjesit, duke u përpjekur thjesht të sigurojë bukën e gojës për familjen e tij. Rreth orës 6:00 të mëngjesit, viktima po priste autobusin pranë Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” për të shkuar në punë në një depo të quajtur “Liri”. Ai, një djalë i thjeshtë dhe i ndershëm, jeton në kushte të vështira – pa nënë dhe me një prind që ka aftësi të kufizuara, duke u përpjekur çdo ditë të mbajë familjen me punën e tij të ndershme. Në atë moment, dy të rinj me motosikleta i janë afruar dhe i kanë kërkuar para. Kur viktima nuk ka pasur mundësi t’ua japë, njëri prej tyre e ka goditur me shqelm në fytyrë, duke i thyer nofullën në mënyrë të tmerrshme. Sulmi brutal është një akt i pastër diskriminimi dhe dhune ndaj një njeriu që përballet me vështirësi të mëdha jetese.”

Viktima dje i është nënshtruar një operacioni për riparimin e nofullës së thyer.

“Viktima M.M. është dërguar menjëherë në Spitalin e Prizrenit, ku po trajtohet me kujdes të veçantë. Sot pritet të i nënshtrohet një operacioni për riparimin e nofullës së thyer, ndërsa familja dhe komuniteti presin me ankth për shërimin e tij.”

“Autoritetet e rendit kanë reaguar shpejt, duke siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga vendi i ngjarjes dhe duke identifikuar personat përgjegjës për këtë akt të rëndë dhune. Ata tashmë janë gjetur dhe pritet që të përballen me drejtësinë për veprën e tyre. Kjo ngjarje tronditëse hedh dritë mbi sfidat e mëdha që përballen komunitetet e margjinalizuara në Kosovë, veçanërisht komuniteti rom, i cili shpesh përballet me diskriminim, padrejtësi dhe mungesë mbështetjeje. Historia e këtij burri të thjeshtë, i cili përpiqet të mbajë familjen në këmbë në kushte të vështira, është një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim për të ndalur dhunën dhe diskriminimin ndaj të gjithë atyre që jetojnë në skajet e shoqërisë.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here