Prokuroria mbyll hetimet kundër biznesmenit Pulaj dhe 13 inspektorëve të ATK-së

0
259

Një rast që nisi me bujë në janar të vitit të kaluar, pas një viti ka marr epilog nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Mbyll hetimet në rastin ku po dyshohej pronari i Lake Side, Feim Pulaj dhe 13 inspektorë të ATK-së. Insajderi sjell detajet:

Janarin e vitit të kaluar Prokuroria Themelore ee Prishtinës e kishe ndërruar shefin. Kujtim Munishi u largua dhe Zejnulla Gashi u bë shef i ri. Punën e nisi me një operacion të madh ku në pranga u vunë një biznesmen, Feim Pulaj- pronari i hotelit “Lake Side” dhe 13 inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Në paraburgim qëndruan pak, por nën hetime për më shumë se një vit.

E krejt këtij rasti, zëvendësja e Kryeprokurorit Gashi, Elza Bajrami-Kastrati i ka dhënë epilog: Mbyllje e hetimeve.

Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin e nënshkruar nga Zëvendës-Kryeprokurorja Bajrami-Kastrati e cila mbylli pjesërisht hetimet kundër biznesmenëve Feim Pulaj, Bedri Batatina dhe Besim Batatina, si dhe inspektorëve të ATK-së Adil Paçarizi, Agim Rama, Avdi Jakupi, Gazmend Gjocaj, Masar Zejnullahu, Milaim Berisha, Muhamed Rafuna, Murtez Zeqiri, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Vllaznim Krasniqi, Xhemajl Hertica dhe Isen Lipovica.

Këta po hetoheshin për vepra që lidhen me shmangien e tatimeve. Vendimi prej 110 faqesh përmban krejt të dhënat e krejt verimeve që Prokuroria në Prishtinë ka ndërmarr brenda këtij viti për këtë rast, që siç ka raportuar Insajderi, që prej fillimit, biznesmeni Pulaj pretendon se rasti ishte nisur pasi që siç ai refuzoi që shefave të ATK-së  t’iu jepte ryshfet- siç ia kërkuan.

Në vendim Prokurorja e rastit bën me dije se megjithatë procedura penale me ngritje të aktakuzës vazhdon , “kundër të pandehurve Feim Pulaj, për shkak të veprës penale Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin nga neni 308 i KPRK-së dhe Bedri Batatina, për shkak të veprës penale Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin, nga neni 308 i KPRK-së”.

Historiku i ngjarjes, sipas Prokurorisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, fillimisht Departamenti i Përgjithshëm i kësaj Prokurorie, pas disa veprimeve paraprake, më dt. 27.04.2021 ka pranuar nga Administrata Tatimore e Kosovës/DHTI, kallëzimin penal me numër të dosjes DHTI-167/20, të dt. 26.04.2021, kundër të dyshuarve Feim Pulaj, Besim Batatina dhe Bedri Batatina, për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi dhe Shmangia nga tatimi. Kjo lëndë në Prokurori, ishte regjistruar me numër të lëndës PP. II. Nr. 1905/21.

Pas pranimit të kësaj lënde, Prokurori i Shtetit i mëparshëm, më dt. 24.03.2023, kishte marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve kundër tre të pandehurve të lartcekur, për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi në bashkëkryerje nga neni 284, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Shmangia nga tatimi në bashkëkryerje nga neni 307, paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Prokurori i Shtetit i mëparshëm në Departamentin për Krime të Rënda, më dt. 10.01.2024, ka pranuar kallëzimin penal me numër DHKEK-2023-KE-337, kundër Feim Pulaj, Bedri Batatina dhe Besim Batatina, si dhe inspektorëve të ATK-së Adil Paçarizi, Agim Rama, Avdi Jakupi, Gazmend Gjocaj, Masar Zejnullahu, Milaim Berisha, Muhamed Rafuna, Murtez Zeqiri, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Vllaznim Krasniqi, Xhemajl Hertica dhe Isen Lipovica, për shkak të veprave penale Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin nga neni 308 i KPRK-së, Mashtrimi në detyrë nga neni 419 i KPRK-së, Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi nga neni 284 i KPRK-së. 

Prokurori i Shtetit, më dt. 09.01.2024, ka marrë Aktvendim për zgjerimin e hetimeve, ndaj të pandehurve Adil Paçarizi, Agim Rama, Avdi Jakupi, Gazmend Gjocaj, Masar Zejnullahu, Milaim Berisha, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Vllaznim Krasniqi, Xhemajl Hertica për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Mashtrimi në detyrë nga neni 419, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Ndaj të pandehurve Feim Pulaj dhe Bedri Batatina, secili veç e veç për veprën penale Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin nga neni 308, par. 3 lidhur me par. 1 të KPRK-së, si dhe ndaj të pandehurve Feim Pulaj, Bedri Batatina dhe Besim Batatina, për shkak të veprave penale në bashkëkryerje Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi nga neni 284, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Shmangia nga tatimi në bashkëkryerje nga neni 307, paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjatë zhvillimit të hetimeve, Prokurori i Shtetit, më dt. 28.05.2024, ka marrë Aktvendim për zgjerimin e hetimeve ndaj të pandehurit Isen Lipovica, për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2 i KPRK-së.

Sipas kallëzimeve penale dhe aktvendimeve për fillim dhe zgjerim të hetimeve, të pandehurit dyshohen si në vijim: 

I.             I pandehuri Feim Pulaj, gjatë muajve janar-mars të vitit 2020, në Prishtinë dhe Prizren, dyshohej se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të TVSH-së së zbritshme-rimbursimit nga ATK-ja, ka krijuar qarkullim financiar bankar fiktiv, duke përdorur fatura fiktive, në mënyrë që me faturat blerëse nga biznesi i tij “Blue Plan  Kosova AG”, tek biznesi “Batatina BB” pronë e të pandehurit Bedri dhe Besim  Batatina, e pastaj nga përdorimi i këtyre 23 faturave, si fatura shitëse tek “Blue Plan Kosova AG” për biznesin “Lake Side”, të krijohet qarkullimi financiar mbi 18 milionë euro, në mënyrë që të rimbursohet TVSh-ja në vlerë prej 2,787,658.27€.

II.            I pandehuri Bedri Batatina, dyshohej se gjatë muajve janar-mars të vitit 2020 në Podujevë dhe Prizren, ka lëshuar 23 fatura fiktive për biznesin “Blue Plan Kosova AG”, e të cilat më pas ia kanë mundësuar biznesit “Blue Plan Kosova AG”, t’i shes ato tek biznesi “Lake Side AG”, në mënyrë që ky i fundit, ta fitojë të drejtën e rimbursimit, në vlerën si në pikën I.

III.           Të pandehurit Feim Pulaj, Bedri Batatina dhe Besim Batatina, në bashkëkryerje dyshoheshin se kanë keqpërdorur autorizimet e tyre ekonomike në bizneset e tyre “Lake Side AG”, “Blue Plan Kosova AG”, “Batatina Sh. P. K.” dhe “Batatina BB Sh. P. K., si dhe të njëjtit me veprimet e tyre i janë shmangur pagesës së detyrimeve tatimore në periudhën 2018 – 2020, në vlerë prej 122,000.00€. 

IV.           Të pandehurit Adil Paçarizi, Agim Rama, Avdi Jakupi, Gazmend Gjocaj, Masar Zejnullahu, Milaim Berisha, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Vllaznim Krasniqi, Xhemajl Hertica, dyshoheshin se gjatë ushtrimit të detyrës së tyre zyrtare, si inspektor tatimor, me rastin e kontrollit dhe përpilimit ta raporteve të kontrollit dhe ri-kontrolleve, në bizneset “Lake Side AG” dhe “Blue Plan Kosova AG”, të dt. 31.08.2020, 12.03.2021 dhe 15.03.2021, me qëllim të mundësimit të pandehurit Feim Pulaj, që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore nga buxheti i Republikës së Kosovës, konkretisht vlerën prej 2,787,658.27€, në emër të rimbursimit të TVSH-së, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat e tyre, ashtu që përmes këtyre raporteve, biznesin “Blue Plan Kosova AG” e kanë ndëshkuar me tatim shtesë dhe ndëshkime, ndërsa biznesin “Lake Side AG”, ia kanë njohur të drejtën për rimbursim të TVSH-së, në vlerën e lartcekur, duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës, në vlerën e lartcekur.

V.            I pandehuri Isen Lipovica, dyshohej se më dt. 12.03.2021 dhe 15.03.2021, në cilësi të Drejtorit Rajonal të ATK-së, ka caktuar ekipet e ri-kontrollit me inspektor pa përvojë, me qëllim që t’i mundësohet të pandehurit Feim Pulaj, të fitojë të drejtën e rimbursimit. /Insajderi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here