Prokuroria jep detaje për aksionin antidrogë në Suharekë me tre të arrestuar: U sekuestrua 2 kg heroinë, armë e fishekë

0
81

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje për operacionin kundër një grupi të dyshuar për trafik droge dhe armësh, ku janë sekuestruar heroinë, armë, municion, para dhe automjete, ndërsa tre të pandehur janë në paraburgim.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në kuadër të një grupi, duke u marrë me shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të substancave narkotike të llojit heroinë. Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 2 kilogramë heroinë, e cila dyshohet të ketë qenë e destinuar për treg ilegal.

Po ashtu, gjatë urdhërkontrolleve në lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion, përfshirë katër pistoleta, një pushkë gjuetie, dy karikatorë dhe rreth 544 fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat mbaheshin në kundërshtim me ligjin.

Nga hetimet janë sekuestruar gjithashtu para të gatshme, telefona, dhe dy automjete të markave “Mercedes GLE” dhe “Land Rover”, të cilat janë përdorur për takime dhe shkëmbim të substancave narkotike, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprat penale.

Prokuroria ka inicuar procedurë penale ndaj tre të pandehurve R.B., A.R. dhe B.B., për veprat penale që lidhen me narkotikë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të njëjtit gjenden në ndalim 48-orësh, dhe Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

“Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin,” thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/

Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here