Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarës Sh.O., e cila gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës, e pandehura Sh.O., me datë 25.09.2024 në Prizren, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Bashkëpunëtore Profesionale në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor (DUPH) në Komunën e Prizrenit, në cilësi të kryetares së komisionit për pranimin teknik të objektit banesor cili gjendet në rrugën “Villiam Voker” në Prizren, ka tejkaluar autorizimet zyrtare ashtu që në kundërshtim Ligjin për Ndërtim ka lëshuar certifikatën për përdorimin e objektit banesor, që i plotëson kushtet për pranim teknik, edhe pse e ka ditur se ky objekt sipas procedurës administrative në Drejtorinë e Inspektorateve ka pasur tejkalim të lejes ndërtimore pasi që jashtë lejes ndërtimore investitori e ka ndërtuar katin e tetë (8) të banimit, duke i shkaktuar dobi investitorit – të pandehurit A.K., në vlerën e banesave të ndërtuara në katin e tetë (8) dhe dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e taksave të pa paguara për ndërtim, njëkohësisht duke e dëmtuar edhe imazhin e panoramës së qytetit të Prizrenit.
Po ashtu, e pandehura Sh.O., me datë 15.10.2024 në Prizren, në cilësi të personit zyrtar – bashkëpunëtore profesionale në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore për investitorin A.K., i cili ka qenë investitor në objektin “NN 1” dhe “NN 2″ ka lëshuar pëlqimin për ndarjen e parcelave,me ç’rast ka dhënë leje të ndërtimit të dy objekteve në të njëjtën parcelë kadastrale, duke i sjellë investitorit përfitim pronësor në vlerën e objektit të ndërtuar.
Me këto veprime, e njëjta ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.