Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se arrestuar në flagrancë një person me inicialet Z.V., i dyshuar për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë, prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të pandehurin, i cili dyshohet se ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit për përfitim të kundërligjshëm.
“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka arrestuar në flagrancë personin me inicialet Z.V., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 par.1, dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri Z.V., që nga data 01.03.2025 deri me datë 19.03.2025 e në vazhdimësi, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit E.H., në atë mënyrë që i dëmtuari me datë 01.03.2025 kishte huazuar nga i pandehuri një shumë të caktuar parash, me afat të kthimit prej tre-katër ditësh.
I dëmtuari duke qenë në gjendje të rëndë financiare, nuk kishte arritur t’ia kthejë shumën e parave, duke kërkuar nga i pandehuri edhe dy ditë shtesë për kthimin e borxhit, ku i dëmtuari pas një jave ia kthen të hollat duke ia dhënë të dëmtuarit shumën e caktuar në emër të kamatës. Pastaj, i pandehuri pas një jave, në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale, i bënë presione të vazhdueshme të dëmtuarit, duke e kanosur me qëllim të detyrimit të të dëmtuarit që të veproj në dëm të pasurisë së tij, duke i kërkuar shuma të tjera të parave në emër të kamatës. I pandehuri me datë 20.03.2025 takohet me të dëmtuarin nga i cili pranon shumën e caktuar në emër të kamatës, dhe arrestohet në flagrancë nga policia.
Me këto veprime, i pandehuri i lartëcekur, ka kryer veprat penale: “Fajdeja” dhe “Detyrimi” sipas KPRK-së.
Për të pandehurin e arrestuar, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren./04 Online