Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për dhjetë persona, dyshohen për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

0
259

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për dhjetë persona të dyshuar për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, shkruan 04 Online.

Sipas Prokurorisë, L.R. dyshohet për kryerjen e kësaj vepre penale, ndërsa P.B., B.Q., F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh. akuzohen për bashkëkryerje të kësaj veprimtarie të ndaluar, bazuar në nenin 294 të Kodit Penal të Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj dhjetë (10) personave të dyshuar:  L.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 par. 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe  P.B., B.Q., F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 par.2 lidhur me nenin 31, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). 

Sipas kërkesës, medatë 28.02.2025, rreth orës 23:00 minuta, në Suharekë, në kafiterinë “R.G.Z”,  i pandehuri L.R., (pronar i lokalit), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizon dhe merr pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë, lokalin e përdorë për lojëra të fatit, ku me rastin e lokalizimit të vendit nga zyrtarët policor kur të njëjtit tentojnë të hyjnë në lokal, dera e lokalit ishte e mbyllur me çelës nga brenda, dhe ishte me pak ndriçim, e pas tentimit të zyrtarëve për ta hapur derën, aty i pandehuri L.R., e hap derën, ku gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë brenda në lokal në tavolinat ku kanë qenë ulur të pandehurit e lartëcekur janë hasur në total dyqind e tetë (208) letra, nëntëdhjetë e gjashtë (96) kartela me mbishkrimin AliExpress me barcode,  të cilat dyshohet se janë kartela për lojërat e fatit online.

Po ashtu, nga të pandehurit e lartëcekur janë sekuestruar në total pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë euro (15.260 €), dhe njëmijë e dyqind franga Zvicerane (1.200 CHF). Gjithashtu, tek i pandehuri L.R., – pronari i lokalit të lartcekur janë gjetur letra në sasi prej tremijë e treqind e njëzet e gjashtë (3326 copë), të cilat janë përdorur për lojë bixhozi natën kritike.

Të pandehurit L.R.,P.B., B.Q., F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh., gjenden në ndalim 48 orësh nga data 01.03.2025 për veprën penale të lartëcekur.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here