Dy persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes në aksidentin e ndodhur sonte në autostradën “Ibrahim Rugova” në afërsi të Prizrenit. Të lënduar janë edhe dy persona tjerë jashtë rrezikut për jetë, ka konfirmuar për Gazetën Express, Petrit Kryeziu, ushtrues i detyrës së kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
Prokurori Kryeziu tha se viktimat dyshohet se kanë qenë në të njejtën veturë, ndërsa në aksident janë përfshirë tri automjete.
“Konfirmoj që janë dy viktima, të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe janë dy të tjerë me lëndime jashtë rrezikut për jetë. Në aksident janë të përfshira tri automjete, dy vetura dhe një kamion”, tha Kryeziu për Gazetën Express.
Prokurori Kryeziu tha se viktimat dyshohet se kanë qenë njëri shofer dhe tjetri pasagjer, “të dy nga e njëjta veturë”.
Pamje nga aksidenti, publikuar nga RTV Besa:
Për aksidentin ka folur edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se njësitet relevante policore dhe ekipe tjera kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Me datë 21.10.2024 rreth orës 18:40 në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova” në Prizren Veri-Prizren Jug; km-13 është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet ku janë të përfshira: Një automjet me targa të huaja, një kamion dhe një automjet me targa vendore. Ne vendin e aksidentit kanë dalë njësitet relevante policore dhe ekipe tjera. Policia është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me shkaktarët e këtij aksidenti të rendë”, ka deklaruar Hoxha./Gazeta Express/