Procesi i rinumërimit të votave nga vendvotimet në Kosovë, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, ka përfunduar në shtatë komuna, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas njoftimit, deri tash janë rinumëruar 834 vendvotime nga gjithsej 2,557. Rinumërimi i plotë ka përfunduar në komunat: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime dhe Ferizaj.
Procesi i rinumërimit nisi më 13 janar, fillimisht për 10 komuna në rinumërim të plotë, si dhe për 10% të vendvotimeve të 28 komunave të tjera. Për shkak të manipulimeve të gjetura gjatë rinumërimit të pjesshëm, KQZ-ja vendosi të ndërmerr rinumërimin e plotë në nivel vendi.
Edhe pse gjatë rinumërimit pati ndryshime të mëdha të votave, emrat e deputetëve të zgjedhur nuk kanë ndryshuar te partitë shqiptare.
KQZ-ja ka shtuar ekipet për rinumërim dhe ka paralajmëruar se procesi pritet të përfundojë në fund të janarit, duke garantuar saktësi dhe transparencë në numërimin e votave.















































