Rregullorja për taksa komunale e Prizrenit prej tetorit të vitit të shkuar nuk është përmirësuar bazuar në rekomandimet e nivelit qendror. Si e tillë ka mbetur e pazbatueshme. Kërkesa e MAPL-së për rishqyrtim të këtij akti vetëm gjatë kësaj jave është përfshirë në agjendën e Kuvendit të Prizrenit
Rregullorja për taksa komunale, që ishte aprovuar dy herë gjatë vitit të shkuar në Kuvendin e Prizrenit, ende nuk është harmonizuar në tërësi me legjislacionin në fuqi. Kërkesa e nivelit qendror për rishqyrtim të këtij akti komunal vetëm gjatë kësaj jave është përfshirë në rendin e ditës së seancës që mbahet më 30 qershor.
Kjo rregullore e miratuar në korrik të vitit të shkuar dhe e rishqyrtuar në shtator të vitit 2021, në muajin tetor përsëri ishte kthyer prapa nga niveli qendror për harmonizim me legjislacionin. Niveli qendror kishte njoftuar drejtuesit e atëhershëm të organeve komunale se në këtë akt nuk janë marrë për bazë rekomandimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për emërtimin e dokumenteve të gjendjes civile, përderisa Ministria e Shëndetësisë pati vlerësuar se rregullorja nuk është në pajtueshmëri me Udhëzimin Administrativ për Certifikatat Shëndetësore.
“Bazuar në të cekurat më lart, Komisioni Ndërministror kërkon nga Kuvendi i Komunës dhe kryetari i Komunës së Prizrenit që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet në shkresën ligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Kryesuesja e Kuvendit, Antigona Bytyqi, ka theksuar të mërkurën se kjo Rregullore do të rishqyrtohet në seancën e caktuar për datën 30 qershor 2022, meqë niveli qendror ka adresuar disa rekomandime për përmirësime.
“Po aty kanë dhënë një material shtesë, kanë bërë disa përmirësime, diçka çka kanë dashur ata për të intervenuar, si për shembull – me sa e mbajtja në mend nga zyrtari që e bëri (prezantimin) – në ndërrimin për shembull te certifikatat, ç-ja do të hiqet, do të bëhet c, e ndryshime të tilla ka pasur te kjo rregullore”, ka thënë ajo.
Kuvendarja opozitare Dafina Alishani ka thënë se zyrtarët ligjorë të Komunës duhet të jenë më të kujdesshëm në përpilimin e akteve në mënyrë që ato të jenë të ligjshme.
“Përgjegjësia e zyrtarëve ligjorë duhet të jetë pak më e lartë, edhe nuk duhet të sillen vendime e rregullore të paanalizuara, për shkak që ne vetëm po i votojmë dhe më pastaj pas disa muajve po kthehen këto vendime. MAPL-ja e ka përgjegjësi me pa ligjshmërinë, e ka përgjegjësi me e mbikëqyrë komunën se çka po bën edhe si po funksionon. Është e mirëseardhur nëse ka ndonjë gabim që të reagojë MAPL-ja dhe ne jemi të obliguar të kemi parasysh rekomandimin e MAPL-së”, ka deklaruar Alishani.
Sipas vlerësimit të zyrtarëve të lartë të ish-qeverisë komunale, Rregullorja përfshin tri elemente kryesore, si: heqjen e taksës vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste; pezullimin e të gjitha procedurave pa bazë ligjore; si dhe uljen e taksave të procedurave të ndryshme administrative, të cilat i zhvillon Komuna e Prizrenit.