Prizreni pret tjetër imazh të Sheshit të Shatërvanit

0
607

Gjendja aktuale në Sheshin e Shatërvanit dhe në përgjithësi në Qendrën Historike po konsiderohet si e palakmueshme nga qytetarë e akterë të tjerë. Qeveria lokale po planifikon intervenim si për rregullimin e kalldrëmit ashtu edhe të fasadave e mobilarit urban. Idetë fillestare në këtë drejtim janë diskutuar me hisedarët

Komuna e Prizrenit po planifikon intervenime për rehabilitimin e infrastrukturës në zonën e parë të Qendrës Historike, si dhe restaurimin e fasadave të një pjese të objekteve të mbrojtura.

Idetë fillestare në këtë drejtim janë prezantuar gjatë diskutimit të mbajtur të martën pasdite me banorët, me bizneset që operojnë në këtë pjesë, aktivistët e shoqërisë civile, profesionistët dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera.

Qytetarët e pranishëm kanë shprehur shqetësimin se gjendja aktuale në Sheshin e Shatërvanit dhe në zonën historike nuk është e lakmueshme dhe se nevojiten intervenime në infrastrukturë, pastaj për largimin e kabllove dhe shtyllave, kontrollin e qarkullimit të mjeteve motorike, sikurse edhe menaxhimin e aktiviteteve.

Aktivistja Valtida Shukriu ka uruar që ky projekt të hartohet dhe të jetësohet, meqë Qendra Historike ka nevojë për dorën e shtetit.

e dimë qe një vjet Prizreni me Shatërvanin u hap e u mshel, ka përjetuar shumë, por askush nuk e ka dërguar një projekt serioz dhe deri në fund”, ka thënë Shukriu.

Moamer Sallashi nga komuniteti i gastronomëve është ankuar për gjendjen aktuale të kalldrëmit që krijon telashe për bizneset dhe turistët e huaj.

Image
“Hartimi i projektit ‘Rehabilitimi i infrastrukturës në Zonën e Parë të Qendrës Historike dhe Restaurimi i Zonave të Mbrojtura’”, ka qenë temë diskutimi e prezantimi të martën në Prizren

“Lëshohet uji prej lart, pastrojnë para dyqanit, derisa këndej para nesh bëhet bazen. Kështu shpresojmë që në shtator të nisë sa më shpejt”, ka thënë ai.

Në pjesën hyrëse të takimit është sqaruar se hartimi i projektit parasheh intervenimet për rehabilitimin e tërë kalldrëmit në zonën e Shatërvanit bashkë me rregullimin e elementeve përcjellëse dhe largimin e kabllove, vendosjen e mobiliarit urban, restaurimin e fasadave e kulmeve, mbjelljen e fidanëve dhe kontrollin e hyrje-daljeve në Sheshin e Shatërvanit.

Arkitekti Dalan Shabani ka theksuar se gjendja faktike tregon se kalldrëmi bashkë me Qendrën Historike të Prizrenit kanë nevojë për intervenime.

“Pas analizave të bëra në bazë të lokacionit është synuar që të intervenohet për riparime dhe vendosjen e kalldrëmit të ri dhe skajoreve në rast nevoje përgjatë gjithë zonës së qytetit”, ka thënë Shabani.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka vlerësuar se kjo është njëra prej nismave më serioze të qeverisë lokale për ta trajtuar Qendrën Historike, përkatësisht Sheshin e Shatërvanit, teksa ka sugjeruar që edhe Plani i Menaxhimit dhe Plani i Konservimit për këtë zonë të merren parasysh në hapat e mëtutjeshëm të hartimit të projektit.

“Meqë po bëjmë fjalë për Sheshin Shatërvan e me theks të veçantë trajtimin e kubëzave ose kalldrëmit, paraqitja që u bë prej përfaqësuesit të byrosë projektuese më la shumë përshtypje pozitive, sepse në radhë të parë ka trajtuar me seriozitetin më të madh gjendjen faktike për të cilën besoj se të gjithë pajtohemi se nuk është në nivelin e duhur kalldrëmi në Sheshin Shatërvan, por edhe vizionin ose projektimin për të ardhmen se si duhet të trajtohet”, ka thënë Hoxha.

Lidhur me dilemat e adresuara nga pjesëmarrësit, drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, ka pohuar se kalldrëmi në Shatërvan është prioritet, por se në të ardhmen do të ketë intervenime edhe në pjesët e tjera të qendrës historike. Sipas tij, paraprakisht do të ketë rregullim të infrastrukturës nëntokësore.

“Kështu që ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që kalldrëmi nuk do të rregullohet pa u rregulluar infrastruktura tjetër nëntokësore. Këtë e kemi shumë të qartë”, ka thënë Lamaj.

Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, ka theksuar se qëllimi i qeverisë lokale është që Shatërvanit t’i japë pamjen e merituar.

“Sheshi i Shatërvanit, por edhe pak më gjerë do të jetë në një proces të rikonstruktimit edhe të rirregullimit që të bëhet më mirë dhe më atraktiv sesa që është, sepse ka nevojë me u rregullu, ka gjëra që mund të përmirësohen dhe mund të bëhen më mirë, edhe është detyrë e jona që secili në pozicionin e vet të japë kontributin që këto punë të shkojnë mirë e mbarë”, ka thënë kryetari Totaj.

Kalldrëmi në Sheshin e Shatërvanit të Prizrenit ka humbur hijeshinë e dikurshme si pasojë e intervenimeve të shoqëruara me gabime gjatë viteve të fundit. Ndonëse autoritetet lokale vazhdimisht janë zotuar se këto gabime do të evitohen me rishtrimin e kalldrëmit, një gjë e tillë nuk është realizuar deri më tani.

KOHA disa herë ka raportuar se si kalldrëmi i Prizrenit ka mbetur i pambrojtur si rrjedhojë e shpërfilljes së vendimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore, degradim ky që ende pret rregullimin e duhur./Koha.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here