Prizreni kërkon kompani private për punën që u përshkruhet zyrtarëve komunalë

0
670
Foto: Arkiva - Komuna e Prizrenit

Komuna e Prizrenit synon ta kontraktojë një kompani për ta analizuar gjendjen ekzistuese në sektorin e arsimit dhe për të ofruar këshilla se ku duhet të intervenohet për zhvillimin e këtij sektori. Por, Ligji për Arsimin në Komuna dhe ai për Vetëqeverisje Lokale parashohin që punët që duhet t’i kryejë kompania duhet t’i realizojnë nëpunësit e Drejtorisë së Arsimit.

Komuna e Prizrenit ka hapur tender për të angazhuar një kompani që t’i kryejë një numër punësh për të cilat paguhen punonjësit komunalë.

Komuna synon ta kontraktojë një kompani për ta analizuar gjendjen ekzistuese në sektorin e arsimit dhe për të ofruar këshilla se ku duhet të intervenohet për zhvillimin e këtij sektori.

E, sipas Ligjit për Arsimin në Komuna dhe atij për Vetëqeverisje Lokale, këto obligime dhe përgjegjësi i takojnë Drejtorisë së Arsimit.

Drejtoresha e kësaj drejtorie, Luljeta Veselaj-Gutaj, e cila nuk tregoi se sa zyrtarë të punësuar numëron ky departament, tha se angazhimi i një kompanie të jashtme është i nevojshëm pasi theksoi se nuk ka ekspertë të fushës së planifikimit strategjik.

“Në situatën në të cilën gjendet arsimi në komunë, sikurse edhe në komunat e tjera, sfidat janë tejet të mëdha, filluar me lëvizjet demografike dhe sigurimi i cilësisë, andaj me plan synojmë t’u përgjigjemi të gjitha sfidave për të menaxhuar dhe zhvilluar pesë fushat e cilësisë (sipas UA). Kjo nënkupton planifikim të mirëfilltë të veprimeve, gjithashtu edhe përfshirje të ekspertëve të fushës së planifikimit strategjik, të cilët na mungojnë në komunitetin e arsimit. Pra, mund të kemi staf arsimor tepër të përgatitur, përfshirë edhe stafin e DKA, por jo edhe ekspertë të fushës së planifikimit strategjik, të cilët facilitojnë ndërlidhjen e veprimeve, masave, objektivave dhe treguesve”, ka deklaruar Veselaj-Gutaj.

25 mijë euro është vlera e parashikuar në tender, aktivitetet e të cilit për momentin janë të pezulluara pasi asnjë nga aplikuesit nuk i ka përmbushur kushtet e vendosura në këtë proces prokurimi.

Në vitin e kaluar Ministria e Arsimit ka publikuar Strategjinë e Arsimit në nivel vendi.

Prandaj ekspertë të arsimit, si Rinor Qehaja, e konsiderojnë të panevojshëm përpilimin e një strategjie të re nga komunat kur ekziston ajo nacionale.

“Ngritja e cilësisë nuk është as në një moment i varur në dokumente strategjike, unë shpresoj shumë që të ndërrojë kjo mendësi që në komuna dhe institucionet qendrore të vetëdijesohen dhe të instalojnë mekanizma llogaridhënës pra në operacionalizim të aktiviteteve dhe jo në zhvillim të dokumenteve”, ka theksuar Qehaja që është drejtor i institutin “Edguard”.

Hapja e tenderit për punët që u përshkruhen punonjësve komunalë është kundërshtuar nga opozita në Prizren.

“Në fushatë kemi pasur shumë premtime nga kryetari i Komunës i cili është thirrur me certifikata të menaxhimit të performancës dhe vetë ai personalisht ka thënë se ekzekutivi do të ketë profesionistët të cilët nuk do të kryejnë punën do të largohen apo do të kenë ndonjë vërejtje. Unë po e shoh që është një anomali këtu, i ka harruar ky kryetar komplet të gjitha premtimet që i ka pasë, kjo është edhe paaftësia e Drejtorisë së Arsimit, për shkak se nuk janë në gjendje me bë një plan strategjik për arsimin në Prizren, unë atëherë nuk e di çka bën ajo drejtori përveç punësimeve partiake”, ka theksuar asamblistja e LVV-së në Prizren, Dafina Alishani.

Praktika e hapjes së tenderëve për angazhimin e individëve e kompanive nga jashtë për kryerjen e punëve që u takojnë zyrtarëve publikë është edhe në komuna të tjera. KOHA ka raportuar se Komuna e Suharekës ka hapur tender për të angazhuar një kompani që do të ofrojë ekspertizë për vlerësim të shpejtë të shkollave, që sipas ligjeve në fuqi është obligim i inspektorëve dhe drejtorëve të institucioneve arsimore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here