Prizreni ende pa arkiv ndërkomunal, për mungesë hapësire-video

0
272

Mjetet e ndara për ndërtimin e objektit ndërkomunal të Prizrenit mund të tërhiqen nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës për të ndërtuar një të tillë në Gjilan.

Kjo për shkak se Komuna e Prizrenit nuk ka arritur të dakordohet me zyrtarë të Arkivit Ndërkomunal të të njëjtit qytet për të ndarë parcelën ku do të ndërtohej objekti. Ndryshe asnjë nga objektet e arkivave ndërkomunale në Kosovë nuk janë në gjendje të përshtatshme për t’i ruajtur dhe trajtuar dokumentet dhe materialet qindravjeçare.

Dokumentet qindravjeçare brenda Arkivit ndërkomunal të Prizrenit me vështirësi sistemohen.

Ky institucion nuk ka as hapësirë e as kushte të domosdoshme për ruajtjen e memories së shoqërisë. Problemi dhjetëravjeçar për të ndërtuar një objekt të përshtatshëm po vazhdon. Komuna e Prizrenit nuk ka arritur të merret vesh me zyrtarë të arkivit për parcelën se ku do të ndërtohet objekti, ani pse ka pasur disa propozime e përpjekje për të bërë zgjidhje. Komuna kishte ofruar disa opsione dhe mundësi në hapësirat që janë pronë komunale brenda dhe jashtë qytetit por nuk i kishin pranuar zyrtarët e arkivit.

“Jemi takuar por deri tani s’kemi asgjë të re, ne nuk i kemi pranuar propozimet e komunës se në ato parcela ku kanë thënë, s’ka rrugë”, tha Hyrmet Veliu, drejtor i arkivit ndërkomunal në Prizren.

Të gjitha këto zhvillime dërgojnë në një situatë të re. Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do të shikoj mundësinë për ta tërhequr fondin prej 1 milion eurosh që ka ndarë qeveria për ta ndërtuar këtë objekt.

“Qeveria ka ndarë 1 milion euro për ndërtimin e arkivit ndërkomunal të Prizrenit por përkundër që iu kemi drejtuar Kuvendit Komunal nga janari që të na ndajë një parcelë për ta ndërtuar objektin, ata nuk kanë arrit të na ofrojnë këtë dhe ne tash po shikojmë mundësinë që të njëjtën shumë të mjeteve të transferojmë dhe të ndërtojmë arkivin ndërkomunal në Gjilan”, tha Bedri Zymberaj, kryeshef i ASHAK-ut.

Pas këtij paralajmërimi, zyrtarët e arkivit thonë se do të bëjnë hapa të tjerë e më të shpejtë që të bëjnë zgjidhje për të mos humbur mjetet e ndara.

“Do të kontaktojmë me zyrtarët që të përshpejtojnë, sepse përndryshe mund të tërhiqen dhe le të ndërtohet një arkiv ku ka truall”, shtoi, më tutje, Veliu.

Ndërkohë, punonjës të këtij institucioni punojnë në kushte aspak të përshtatshme e shpesh përballen edhe me probleme shëndetësore derisa për shkak të hapësirës së pamjaftueshme aty nuk janë pranuar shumë dokumente për vite me radhë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here