Seminari kërkimor “Lumbardhi 101: Si të jetojmë në Botën e Lumit”, të premten, ka nisur punimet në Kinemanë Lumbardhi në Prizren.
Në fokus të këtij seminari është Lumëbardhi dhe format se si ky lum ka udhëzuar jetën shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Prizrenit.
Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi në hapje ka bërë të ditur se ky seminar synon të tërheqë vëmendjen ndaj Lumëbardhit dhe ta mendojë atë si një hapësirë të përbashkët, jo thjesht një burim, por një vend kujtese, lidhjeje dhe rigjenerimi të mundshëm ekologjik.
“Duke bashkuar mendimtarë dhe praktikues nga fusha të tilla si ekologjia, antropologjia, ekolinguistika, arkitektura, urbanizmi dhe artet, ai synon të grumbullojë dhe shkëmbejë njohuri, të ndajë gjetjet fillestare të kërkimeve të reja, të eksplorojë perspektivat e trashëgimisë ujore, infrastrukturës, biologjisë, gjuhës dhe jetës urbane për të frymëzuar mënyra të reja të të menduarit dhe të jetuarit me lumin”, është shprehur Shporta, raporton Telegrafi.

Ai ka shtuar se përmes kërkimit, dialogut dhe përvojave të përbashkëta seminari synon të rilidhë banorët dhe sendet me ujërat e Lumëbardhit dhe të imagjinojë të ardhmen e tij të mundshme.
Seminari në fjalë organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Danimarkës Jugore dhe Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Sejdi Sejdiu nga Universiteti “Ukshin Hoti” ka vlerësuar se ky projekt është më shumë se një studim.
“Është një bashkëpunim i rrënjosur në kujdes, kureshtje dhe lidhje. Ai bashkon studentë, studiues dhe komunitete, që besojnë se ndryshimi kuptimplotë fillon me kuptimin, dhe se kuptimi fillon me dëgjimin. Ndërsa ecim përpara, le të vazhdojmë me idenë se gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një urë midis njerëzve, midis disiplinave dhe midis të kaluarës dhe të ardhmes së mundshme të këtij rajoni.
Së bashku, përmes dialogut, kërkimit dhe veprimit, mund të fillojmë të formësojmë një vizion të Prizrenit që nderon diversitetin e tij, mbron lumin e tij dhe frymëzon të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo është sfida jonë dhe gjithashtu qëllimi ynë”, ka thënë ai në hapje të seminarit.
Ndërkaq ligjërata e profesorit Stephen Cowleyt, është fokusuar në proceset ekolinguistike që e kanë formësuar jetën shoqërore rreth lumit në Prizren.

“Ajo që shpresoj të arrijmë me këtë iniciativë është të ndërtojmë një ndjenjë të bashkësisë dhe të krijojmë gjëra pozitive, dhe në disa mënyra të kompensojmë ndjenjën se gjërat janë gjithmonë më mirë jashtë, gjë që ka qenë një mallkim për shoqërinë e Kosovës për të paktën 40 vjet. Pra, kjo është ajo që më intereson”, ka thënë Cowley.
Programi i seminarit kërkimor sipas njoftimit të Fondacionit Lumbardhi përfshin edhe diskutimin mbi lumin nga aspekti antropologjik udhëhequr nga Nebi Bardhoshi, pastaj hulumtimin fotografik të Ferdi Limanit, teksa Aslıhan Demirtaş, arkitekte dhe themeluese e KHORA office sjell modelin turk të përdorimit digave në lumenj duke u fokusuar në projektin e saj “Grafts”.
Modele të tjera simotra të të jetuarit dhe menduarit të lumit si pjesë gjenerative e jetës urbane, do të theksohen në fjalën e filozofit dhe kritikut rumun, Ovidiu Tichindeleanu. Ndërkaq Lena Violetta Leitner sjell rastin e DTAFA (Danube Transformation Agency for Agency) ku ajo është bashkëthemeluese, një kolektiv ekofeminist që merr përsipër të eksplorojë mënyra inovative socio-ekologjike si dhe të shëndetshme e të barabarta duke jetuar pranë natyrës.
Po ashtu Bledar Pulaj dhe Artnet Haskuka do të fokusohen në lumin si një hapësirë për kulturë, kujtesë dhe biodiversitet si dhe në të përshtaturit mes zhvillimeve urbane të vijueshme të qytetit.
Programi dy ditor sipas njoftimit të Lumbardhit e aktualizon lumin, por edhe i jep zë përpjekjeve qytetare dhe ndërgjegjësuese për ta menduar atë si habitat që mund të rimendohet me një pozicion qendror në jetën e qytetit.

Seminari “Lumbardhi 101: Si të jetojmë në Botën e Lumit” organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Danimarkës Jugore dhe Universitetin e Prizrenit ndërsa përkrahet nga European Culture Foundation dhe programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia, derisa puna e Fondacionit Lumbardhi mbështetet me përkrahje institucionale nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund./Telegrafi