Lidhjet e dashurisë mes të rinjve në shumë raste nuk gjejnë mbështetjen e familjarëve. Këta të fundit shpesh herë ndërhyjnë mes tyre, ku përmes mënyrave të ndryshme, madje duke mos kursyer as kërcënimet e sulmet fizike, tentojnë që t’i ndajnë ata, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka vepruar edhe një person në Prizren, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me shokët e tij, kanë sulmuar fizikisht të dashurin e motrës së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ishte i shoqëruar nga një person në momentin kritik dhe që të dy kanë marrë lëndime trupore si pasojë e dhunës që përjetuan.
Dy të rinjtë kanë dhënë dëshmitë e tyre para organeve të hetuesisë, ndërkohë që njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë tre të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka urdhëruar që të dyshuarit të hetohen në liri për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.