Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe të premten në rrugën “William Walker” në Prizren, ku një person po dyshohet se është kapur me një zyrtar policor.
Siç mëson Sinjali, i dyshuar për rastin është një 42-vjeçar, që po dyshohet se ka penguar policin teksa po kryente detyrën zyrtare.
Sipas informacioneve të para, situata ka eskaluar pasi i dyshuari ka tentuar të sulmojë zyrtarin policor.
Përballë kësaj situate, polici ka kërkuar ndihmën e kolegëve të tij, me ç’rast një njësi policore ka intervenuar dhe është arrestuar i dyshuari.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor, por ka vendosur që të mos deklarohet për rastin dhe motivin që e shtyri të futet në sherr.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”./Gazeta Sinjali/