Prizren: Vetura e Policisë me sinjalizues ndezur goditet në rrethrrotullim, shoferja nuk i dha përparësi

0
342

Mbi 80 aksidente trafiku kanë ndodhur në vendin tonë vetëm gjatë ditës së mërkurë. Në të shumtën e rasteve, aksidentet shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes dhe mosrespektimit të rregullave të trafikut rrugor. Kështu ndodhi të martën në Prizren, ku u godit një veturë e Policisë teksa ishte rrugës për të intervenuar në një rast, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, automjeti zyrtar është goditur në rrethrrotullim nga një shofere, e cila nuk i ka dhënë përparësi kalimi Policisë.

Vetura e Policisë me sinjalizues të lëshuar ishte duke qarkulluar te Tranziti i Ri dhe kur arrin te rrethrrotullimi, nga ana e majtë goditet nga një veturë dhe shkaktohet aksidenti.

Shoferja që dyshohet se e shkaktoi aksidentin ka pësuar lëndime trupore, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale në dy automjetet.

Policia e Trafikut ka intervenuar dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe rasti më pas është proceduar për në Gjykatë, thonë tutje të njëjtat burime.

Ndryshe, në bazë të Ligjit për trafikun rrugor, automjeti i Policisë ka përparësi kalimi kur jep sinjale me dritë ose me zë me intensitet të ndryshueshëm gjatë intervenimit.

”Mjetet me përparësi kalimi kanë të drejtë përparësie për kalim kundrejt të gjitha mjeteve të tjera, përveç ndaj mjeteve nën përcjellje dhe ndaj mjeteve që lëvizin nëpër kryqëzim i cili rregullohet me shenja të personit të autorizuar.

Personi i autorizuar që e rregullon trafikun rrugor është i detyruar që të krijojë kushte në mënyrë që mjetet me përparësi kalimi të kalojnë pa pengim.

Mjete me përparësi kalimi kanë të drejtë të mos i zbatojnë dispozitat e trafikut, kur ato mjete japin sinjale me dritë të kaltër dhe sinjale zëri me intensitet të ndryshueshëm, përveç në rastet kur me një veprim të tillë do të rrezikoheshin pjesëmarrësit e tjerë në trafik.” – thuhet në nenin 169./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here