Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga familjarët e tyre, të cilët pa hezitim i rrahin ato.
Kështu ka vepruar edhe një i ri në Prizren, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij më të madhe.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes në rrugën ‘Engjull Berisha’, ku pas një konflikti verbal mes tyre, 28-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar fizikisht motrën e tij, duke e goditur me kokë në hundë.
Përballë kësaj situate, 35-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të marra, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Në kuadër të veprimeve hetimore, është intervistuar edhe gruaja e të dyshuarit, e cila ka konfirmuar ngjarjen.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.