Por, kjo lëndë nuk ishte trajtuar nga fillimi nga zyrtarja e urbanizmit Shpresa Osmanolloj.
Leja e parë ndërtimore, e cila parashihte ndërtimin brenda hartës zonale, ishte lëshuar nga zyrtarja Xhejlane Gjini.
Mirëpo, nuk dihet se cilat janë arsyet se e njëjta nuk ka vazhduar të ishte zyrtare e kësaj lënde.
E kontaktuar përmes telefonit, Gjini ka thënë se kështu ka vendos drejtori.
“Gazetarja: Deshta me e ditë a ke hek vetë ti dorë prej landës apo si?
Gjini: Ajo ka qenë lëndë në veti ka qenë.
Gazetarja: Ama ka qenë për të njëjtin objekt?
Gjini: Unë mundem me fol vetëm për landën tem.
Gazetarja: Vetëm po du me e ditë pse nuk e ke pas ti edhe lejën e dytë?
Gjini: Nuk marrë unë landë, landë i shpërndan drejtori., nuk marre unë landë. Unë muj me fol veç për landën teme”.
Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të zhvilloj intervistë edhe me shefin e kabinetit të kryetarit Shaqir Totaj, Nehat Elshanin.
Elshani nuk ka pranuar të deklarohet para kamerës, e as nuk i është përgjigjur telefonit.
Kërkesës nuk i është përgjigjur as kryetari Totaj.
Bazuar në informacionet e siguruara përveç kallëzimit penal për rastin “Albanica Home” të ngritur më 2024, “Betimi për Drejtësi” ka kuptuar se ndaj zyrtares së Urbanizmit Shpresa Osmanollaj, janë ngritur edhe 4 kallëzime penale më parë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Një është ngritur në vitin 2018, më pas në 2019 dhe dy në vitin 2023.
Për këtë, ndaj saj është ngritur aktakuzë edhe më 1 maj të këtij viti për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi dyshohet se i kishte mundësuar një investitori banesor ndryshimin e projektit në kundërshtim me lejen ndërtimore.
Ndërsa, e njëjta përmes aktvendimit të plotfuqishëm të vitit 2022 është dënuar për kryerjen e veprës penale “cënimin e të drejtave të punësimit dhe papunësisë” me gjobë 500 euro pasi kishte pranuar fajësinë.
Lojërat me ndryshimin e numrave kadastral të parcelave përmes bashkimit të pronave e më pas ndarjes së tyre, paraqet taktikën e dyshimtë që përdorët me qëllim të humbjes së gjurmëve që shpien drejtë së vërtetës.
E për këtë dhe raste të tjera, i mbetet organeve ndjekëse të hetojnë.
Derisa, perdja i lëshohet syve edhe kur çdo gjë shihet qartazi.
Komuna lëshon certifikatë përdorimi të objektit përkundër e po i njëjti objekt ka tejkalim të lejes ndërtimore, kësisoj duke tingëlluar se objekti dhe drejtoria nuk gjenden në të njëjtin qytet.
E në anën tjetër, Harta Zonale nuk vlen kur në shprehje vijnë investimet e familjarëve të zyrtarëve politikë në pushtet.
Kjo është xhungla urbanistike që ka zënë të zhvillohet në qytetin historik.
Për më shumë ndiqeni emisionin “Loja me numra për fitimin e lejeve ndërtimore”, i cili transmetohet në KTV, TV Arta dhe Betimi për Drejtësi. /BetimipërDrejtësi