Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Q.K. për veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, sipas nenit 164 të Kodit Penal të Kosovës, shkruan 04 Online.
Sipas aktakuzës, më 10 dhjetor 2024, në fshatin Vërmicë, i pandehuri është ndaluar nga Policia Kufitare teksa po transportonte katër emigrantë nga Bangladeshi, të cilët ishin futur ilegalisht në Kosovë. Për këtë shërbim, ai dyshohet se kishte pranuar 150 euro për t’i dërguar në Gjilan.
Prokuroria ka kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Q.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164, par.1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, me datë 10.12.2024, në ora 22:25 min, në fshatin Vërmicë – Komuna e Prizrenit – saktësisht në daljen nga autostrada ”Ibrahim Rugova” për në fshatin Vërmicë, merret me kontrabandim të migrantëve, në atë mënyrë që, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tij, ndalohet nga ana e Policisë Kufitare, i cili kishte qenë duke i bartur katër (4) emigrantë (shtetas të Bangladeshit), për të cilët ishte pajtuar që për një shumë parash në vlerë prej 150 € (njëqind e pesëdhjetë euro) t’i dërgojë deri në Gjilan, edhe pse kishte qenë fare mirë në dijeni se të njëjtit ishin futur ilegalisht në territorin e Kosovës.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren./04 Online