Prizren | Nga zënka deri te vrasja, mosmarrëveshja dyshohet se ishte për një pusetë

0
3081

Një zënkë fillimisht dyshohet se ishte nismëtare e vrasjes e cila u regjistrua mbrëmë rreth orës 19:00 në lagjen “Arbana” në Prizren.

Në një deklarim për KALLXO.com drejtori i policisë së rajonit të Prizrenit, Faton Alija ka thënë se viktima Beqir Morina dhe i dyshuari Aziz Gashi dyshohet se kishin pasur një zënkë mes vete e që më pas ky i fundit kishte shtënë me armë zjarri një pushkë automatike në drejtim të viktimës për disa herë.

“Ngjarja ka ndodhur pas një zënke që ka ndodhur aty për aty dhe e gjithë ngjarja është zhvilluar për 12-13 minuta”- tha Alija në një deklaratë për KALLXO.com.

Mosmarrëveshja dyshohet se ishte për një pusetë.

“Dyshimet tona edhe zyrtare edhe prej dëshmitarëve janë se ka pasur një mosmarrëveshje për një pusetë kanalizim i ujërave të zeza, aty diskutimi ka mujt me pasu me sulm fizik dhe më pas ka eskalu dhe ka rezultu me vrasje ku si pasojë kemi një viktimë dhe një person të dyshuar i cili është në arrati”- shtoi Alija.

Nga mbrëmë sipas drejtorit Alija janë zhvilluar disa bastisje.

Madje në një lokacion ku dyshohet se ishte strehuar i dyshuari policia sot arriti që te gjej një armë që dyshohet se u përdor në rast.

“Në një shtëpi ku dyshohet se është strehu i dyshuari është gjetur një armë e cila  dyshojmë se është arma që u përdor për kryerjen e aktit të vrasjes si dhe janë gjetur disa dokumente personale të te dyshuarit”- thotë ai.

Një bastisje tjetër është duke vazhduar edhe tani ndërsa informacionet e fundit flasin se i dyshuari ka lënë veturën e tij diku dhe është larguar.

“Njoftimin e fundit është se ai nuk është me veturën e tij është në arrati por jo me veturë.  Vetura është Taureg ngjyrë hiri me targa 03”- shton Alija.

Shtëpia e te dyshuarit Aziz Gashi tashmë është rrethuar me shirita të policisë dhe qasja në të nuk është e lejuar përveç familjarëve.

I dyshuari po jetonte vetëm në atë shtëpi ndërsa ishte kthyer nga Belgjika.

Ai ishte i ardhur në këtë lagje nga fshati Sferkë të Komunës së Klinës.

“Bastisja e shtëpisë ka ndodhur mbrëmë pas ngjarjes në prezencë të avokates së caktuar me detyrë zyrtare në atë shtëpi nuk jeton askush, policia ka vendosur shiritat ajo është zonë e ndaluar për frekuentim. I dyshuari ka jetuar i vetëm”- tregoi tutje Alija.

Drejtori thotë se nga regjistrat penal nuk ka pasur të dhëna nëse dy të involvuarit tashmë viktima dhe i dyshuari kishin pasur vepra të natyrës së rëndë në të kaluarën.

KALLXO.com mëson se është kërkuar nga policia edhe një historik i të kaluarës për të dyshuarin Aziz Gashi nga shteti i Belgjikës ku edhe kishte jetuar i njëjti më parë.

Policia tashmë posedon edhe pamje të vendit të ngjarjes nga kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në disa objekte afariste./Kallxo.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here