Një aksion policor i zhvilluar të enjten pasdite në Prizren ka zbuluar një rast të dyfishtë që lidhet me kultivim të bimëve narkotike dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren, pas pranimit të një informacioni operativ, kanë kryer bastisje në shtëpinë e 35-vjeçarit Nuredin Gashi, me vendbanim në rrugën “Ulqini” të qytetit.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe në koordinim me prokurorin kujdestar, kontrolli ka nisur në orën 14:00 dhe ka përfunduar rreth orës 16:00. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: Pesë bimë të llojit Kanabis Sativa, të mbjella në vazo, me gjatësi prej 137 deri në 162 cm; 65 fishekë të armës së zjarrit, kalibër i panjohur; 19,900 euro para të gatshme, për të cilat dyshohet se lidhen me veprimtarinë e paligjshme.
Në momentin e bastisjes, i dyshuari nuk është gjetur në shtëpi dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka nisur hetimet për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet janë në vazhdim./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.