Ftesës së AAK-së në Prizren për takim pas LVV-së ju ka përgjigjur edhe dega e LDK-së.
04 Online ditë më parë pati raportuar se AAK-ja dhe LVV-ja kanë gjetur gjuhë të përbashkët për veprime të koordinuara politike në asamble. Siç jeni në dijeni, partia në pushtet, PDK-ja e ka humbur shumicën në këtë institucion.
E si rrjedhojë, sot është realizuar takimi mes AAK-së e LDK-së, dhe siç ka marrë vesh 04 Online nga burime të konfirmuara brenda dy subjekteve politike, ato tashmë janë pajtuar për veprime të koordinuara politike në asamble.
Lidhur me këtë AAK-ja ka dalë me një njoftim rreth këtij takimi, e cila njëherit e ka falënderuar LDK-në për gatishmërinë e bashkëpunimit.
“Në kuadër të takimeve me subjekte politike si pasojë e gjendjës së krijuar në asamblenë komunale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – dega në Prizren, ka vazhduar takimin sot edhe me LDK-në, duke krijuar një frymë të re të bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike në asamblenë komunale të komunës së Prizrenit, në të mirë të qytetarëve të komunës së Prizrenit.
Qëllimi i këtij takimi ishte ngritja e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike si dhe koordinimi për çbllokimin i asamblesë komunale të Prizrenit duke u parë si e nevojshme që kërkesat e asambleistëve duhet të merren parasysh e jo të shfrytëzohen vetëm si mekanizëm votues.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – dega në Prizren, falendëron Lidhjen Demokratike të Kosovës – dega në Prizren për gatishmërinë e bashkëpunimit dhe shpreson që në bashkëpunim me subjektet politike në asamblenë komunale të Prizrenit, të ndërtoj një opsion real për qeverisjen, që garanton sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për qytetarët e komunës së Prizrenit”, thuhet në njoftimin e AAK-së./04 Online