Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në fshatin Zhur të Prizrenit, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, kur pas një debati verbal, i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer edhe rastet e tjera që kanë ndodhur në familjen e tyre.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit dhe inicimi i rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.