Prizren: Burri ther me thikë bashkëshorten dhe vajzën, gjendja e tyre është e rëndë

0
145
Foto: Ilustrim

Në mesnatën e djeshme rreth orës 00:20min pas mesnatës në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje.

Lidhur me këtë rast patrulla policore i është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë.

Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore.

 Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur.

Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë.

Në lidhje me rastin policia dhe njësia e teknikës kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në koordinim me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.

Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.

 Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48-orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer veprat penale: “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar e armëve”.

 Brenda afatit ligjor, për të njëjtin prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit./Indeksonline/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here