Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një 18-vjeçare në Prizren, e cila e ka raportuar burrin me të cilin bashkëjeton, për shkak të dhunës që dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari, i cili ka një fëmijë nga bashkëjetesa me viktimën, e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmë para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, me ç’rast është kuptuar se motiv i rastit dyshohet të jetë xhelozia mes tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Dhunë në familje” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.