Banorët e fshatit Bellanicë të Malishevës do të protestojnë të mërkurën e 31 janarit para Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Një email e dërguar në redaksi nga Hazir Hoxha, organizator i kësaj proteste, thuhet se arsyeje e protestës është për të kërkuar drejtësi rreth çështjes së privatizimit të pronave në “Dubravë” dhe OPB “Mirusha”.
“Ju njoftojmë që në datë 31.01.2024, të mërkurën, nga ora 13:00 deri në orën 15:00, banorët e fshatit Bellanicë dhe fshatrave përreth do të organizojnë protestë pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë për të kërkuar drejtësi rreth çështjes së privatizimit të pronave në “Dubravë” dhe OPB “Mirusha”, thuhet në njoftim.
Po ashtu do të dorëzohen disa kallëzime penale ndaj personave që i Këshilli për Kthimin e Pronave të Bellanicës mendon të jenë të përfshirë në këtë proces privatizimi.
“Të nderuar përfaqësues të mediave shkruara dhe atyre elektronike, ju ftojmë që të përcillni këtë ngjarje, ku me ç’rast, për herë të parë në nivel vendi, do të dorëzohet kallxim penal ndaj zyrtarëve të ndryshëm të përfshirë në shpronësimin e pronave, si ish-kryetarë komune së Malishevës; ish-kryetari i Gjykatës komunale; ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut; ish-drejtori i AKM-së; ish-kryetari i fshatit Bellanicë etj. Emrat konkret të zyrtarëve dhe kopjet e kallximit penal do t’i merrni gjatë protestës”, thuhet në njoftim. /Gazeta Express