Këshilli i Prindërve të Kosovës konsideron se dita e shtunë nuk pa pse të negociohet për kompensimin e orëve të humbura të mësimit si pasojë e grevës në arsim gjatë muajit shtator.
Kryetari i këtij këshilli, Jeton Demi, ka thënë të premten në “Sot” të KTV-së se me këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, po kalohet nga mohimi i mësimit si pasojë e grevës, në mohim të pushimit për nxënësit kosovarë.
Demi ka thënë se vendimi mund të kontestohet edhe ligjërisht.
“Po kalohet në mohim të së drejtës për pushim. Ai vendim mund të kontestohet edhe ligjërisht sepse ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve ua jep të drejtën për pushim dhe të drejtën për aktivitete jashtëshkollore dhe derisa në Kosovë ka aktivitete të shumta të fëmijëve që zhvillohen në fundjavë, ua pamundëson fëmijëve atë aktivitet. Po shihet tendenca për të bërë një shkelje tjetër, përsëri fëmijët janë ata që i vuajnë pasojat. Ne na duhen disa parakushte për të pasur proces normal shkollor, parakusht është që palët të jenë të kënaqura me orarin. Të shtunat nuk kanë çka të negociohen”, ka thënë Demi.
Sipas tij, mbi 90 për qind e shkollave në Prishtinë e kanë mbështetur idenë se të shtunave nuk duhet të ketë kompensim të mësimit, duke thënë se ekziston si mënyrë kompensimi, zgjatja e orëve të mësimit.
Demi po ashtu ka thënë se vendimi për mënyrën e kompensimit do të duhej të decentralizohej dhe të merrej nga shkollat varësisht nga kushtet e tyre.
Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) ka kundërshtuar vendimin e ministres, Arbërie Nagavci, për ndryshim të kalendarit shkollor, duke thënë se mësimi nuk do të mbahet të shtunën e 15 tetorit, siç parashihet me vendimin e ri, për t’i zëvendësuar orët e humbura si pasojë e grevës në shtator.
Në një konferencë për media të enjten, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, e ka cilësuar të ngutshëm vendimin për kalendarin e ri, pa marrëveshje paraprake me sindikalistët.
“Vendimi për kompensim të orëve ishte i ngutshëm nga ministrja Nagavci, pasi nuk ka respektuar kontratën kolektive. Nagavci në vend të konsultimeve me SBASHK-un, ka sjell vendim të njëanshëm. Nuk do të ketë mësim këtë të shtunë. Presim gjatë javëve të ardhshme të na thërrasë në takim. Nëse javën e ardhshme nuk do të ketë takime, prapë do ta respektojmë kontratën. Me rastin e pezullimit të grevës kemi pritur që Ministria e Qeveria do të dialogojnë, por ata kanë vazhduar me avazin e vjetër”, ka thënë Jasharaj.