Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë gjithë së enjtes ishte pjesë e punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, në Granada të Spanjës.
Ajo tha se ditën e ka shënuar me diskutime konstruktive me aleatët ndërkombëtarë, ku në qendër ka qenë gjendja e sigurisë në vend pas sulmit terrorist të Serbisë në Zveçan, që la të vdekur një pjesëtar të Policisë së Kosovës.
Osmani, tha se në këto takime e ka theksuar rëndësinë para disa liderëve evropianë që Serbia të japë përgjegjësi për “sulmin terrorist dhe aktin e agresionit” ndaj Kosovës, në lidhje me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit muajin e kaluar.
“Diskutime të rëndësishme me aleatë dhe partnerë të Kosovës rreth situatës së sigurisë pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë, si dhe për fuqizimin e aleancave tona në përballje me sfidat aktuale”, ka njoftuar Presidentja Osmani përmes një albumi të fotografive ku ka përmbledhur takimet me liderët evropianë, shkruan Reporteri.net.
Shefja e shtetit, mes të tjerëve, është takuar me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz; Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis; Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez; Presidentin e Francës, Emanuel Macron; Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak; Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel; Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, e Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
Para se të nisnin zyrtarisht punimet, Osmani është deklaruar për mediat ku ka thënë se refuzon të takohet me presidentin serb Vuçiq, i cili po ashtu ishte prezent në Samit, pa u sanksionuar njëherë Serbia.
Ajo ka thënë se ajo çka ndodhi më 24 shtator është kryekëput urdhër i lidershipit serb.
“Nuk kemi takime të konfirmuara. Nuk ka arsye për t’u takuar para se sanksionet të miratohen ndaj Vuçiqit. Së pari sanksionet dhe pastaj mund të flasim për dialog”, ka deklaruar Osmani.
Por më vonë gjatë ditës, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha se do të ulet “së bashku” me presidenten Osmani dhe presidentin Vuçiq, për të biseduar gjatë këtij samiti të BE-së. Nuk ka pasur detaje, por presidentja Osmani ka publikuar një fotogradi ku shihet duke diskutuar bashkë me Borrellin./Reporteri