Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se sot është pritur në takim nga Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka treguar se më të kanë biseduar për raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Isha e nderuar të pritem në takim sot nga Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Biseduam për raportet e shkëlqyeshme e të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për mënyrat se si mund të avancojmë këto raporte edhe më shumë.
E kam njoftuar kryetaren Pelosi për sukseset e Kosovës si një demokraci e konsoliduar si dhe për reformat që po ndërmarrim e poashtu për sfidat me të cilat përballemi, të cilat do t’i tejkalojmë kur e kemi në krah aleatin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, Presidentja ka udhëtuar drejt Shteteve të Amerikës, të martën. Dje, ajo dhe kryeministri Albin Kurti, kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.