Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviq sot vazhdon ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kroaci.
E para e vendit sot do të bëjë dekorimin e tre personaliteteve të shquara. Ceremonia do të mbahet në Ambasadën e Kosovës në Kroaci.
Po ashtu Osmani do të ketë një bashkëbisedim me studentët e Libertas University me temën “Udhëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së: “Çfarë vjen më pas”?.
Në qytetin e Karlovacit, ajo do të ketë një vizitë në një fabrikë të armëve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë edhe statujën e Nenë Terezës.
Në fund të agjendës së takimeve dhe aktiviteteve, Osmani do të ketë takim me komunitetin shqiptar në Kroaci, ku presidentja do t`ju adresohet komunitetit shqiptar.
Gjatë ditës së djeshme, Osmani pas takimit me presidentin kroat, Zoran Milanoviq në një konferencë të përbashkët për media ka thënë se miqësia dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve mbetet i palëkundur.
Osmani nga Zagrebi ka folur edhe rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, duke bërë thirrje sërish nga komuniteti ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë për rolin e saj në këtë agresion ndaj shtetit të Kosovës.
Osmani tha se nëse kjo nuk ndodh, shteti serb do të përsërisë sulmet terroriste e agresionin ndaj shtetit të Kosovës, që siç tha Osmani qëllim kishin aneksimin e veriut të Kosovës. /Reporteri