Presidenti Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në konferencën e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut është shprehur se rritja e buxhetit për mbrojtjen në masën 2% nuk është më pika kulminante, por një bazë e qëndrueshme për modernizimin e forcave të mbrojtjes.
Ai tha se sfidat me të cilat po përballet rajoni ynë janë të shumta.
Presidenti Begaj shtoi se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është i një rëndësie të veçantë jo thjesht për sigurinë e Kosovës, por do i shërbente edhe më tej sigurisë së Rajonit.
“Ukraina përballet me një agresion të paprecedent, të paligjshëm dhe të paprovokuar nga Rusia, e cila është kthyer në sfidues të rregullit botëror. Në Lindjen e Mesme kemi përshkallëzim të konfliktit. Rajoni ynë përballet me sfidat specifike, veçanërisht në fushën e sigurisë, ndërsa mbetet i brishtë përballë destabilizimit. Historia nuk duhet harruar, ndryshe mund të përsërisim gabimet. Ne jemi në gjendje të përballemi me këto sfida. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar për të promovuar sigurinë në Rajon. Karta e Adriatikut ka treguar se është një instrument i rëndësishëm që kontribuon në integrimin e Rajonit në familjen euro-atlantik”, tha Begaj.