Presidentët e Republikës: Një udhëtim historik nga Rugova e Thaçi, deri te Jahjaga e Osmani

0
63

Kosova, në periudhën e saj të pas clirimit dhe pavarësisë nga Serbia, është drejtuar nga figura të shquara, dhe jo aq të shquara politike, që kanë ushtruar postin e Presidentit.

Këtë pozitë e kanë mbajtur gjithsej 7 personalitete. Dy nga to ishin gra, e pesë burra. Po ashtu, dy nga ta e mbajtën pozitën për faza shumë të shkurta – vetëm disa muaj (Jakup Krasniqi e Behgjet Pacolli) e pesë tjerët për disa vite – Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe Vjosa Osmani Sadriu.

Ata kanë lënë gjurmë të ndryshme në proceset e ndërtimit të shtetit, ndërsa secili mandat ka shënuar momente historike të rëndësishme.

Ibrahim Rugova (4 mars 2002 – 21 janar 2006)

Dr. Ibrahim Rugova, i konsideruar, sidomos nga ithtarët e tij nga partia LDK si “Ati i Kombit” dhe figura qendrore e lëvizjes për pavarësi gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar, ishte presidenti i parë i Kosovës në periudhën pasluftës, duke shërbyer nga marsi 2002 deri më 21 janar 2006. U zgjodh në këtë pozitë dhe e la atë, pas vdekjes, gjatë kohës kur vendi ishte nën administrimin ndërkombëtar të OKB-së. Rugova njihej si politikan që angazhohej në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës së pasluftës. Ai krijoi Grupin e Unitetit, që u përball mandej me Serbinë në negociatat për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga Marti Ahtisaari, e të cilat përfunduan me propozimin e vitit 2007 për pavarësi të mbikëqyrur. Rugova nuk e priti shpalljen e pavarësisë, meqë vdiq më 21 janar 2006, pas 3 vjetëve, 10 muajve e 17 ditëve “mbretërimi” si president i vendit.

Fatmir Sejdiu (10 shkurt 2006 – 27 shtator 2010)

Shuarja e Rugovës ia kaloi mundësinë Fatmir Sejdiut ta pasojë atë në pozitën e presidentit, të cilën e mbajti nga 10 shkurti 2006 deri më 27 shtator 2010. Në të njëjtën kohë, ai vazhdoi të mbajë, ani se të ngrirë, edhe pozitën e  kryetarit të LDK-së, gjë që me legjislacionin e ri, të pas pavarësisë, ishte e ndaluar, për çfarë, në fakt, ai u penalizua, më 2010, duke u shkarkuar nga detyra, me vendim të Gjykatës Kushtetuese për papajtueshmëri të funksioneve.

Pavarësisht këtij akti “të pakujdesshëm” në karrierën e tij politike, Sejdiu mund të krenohet se gjatë mandatit të tij, Kosova shpalli pavarësinë, më 17 shkurt 2008, mori shumë njohje të shtetësisë së saj, forcoi pozicionin e vetë ndërkombëtar si vend i pavarur dhe fitoi konfirmim të kësaj pavarësie nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 2010.

Sejdiut iu desh të jap dorëheqje në shtator 2010, pas 4 vjetëve, 7 muajve dhe 17 ditëve të qëndrimit në krye të vendit.

Jakup Krasniqi (27 shtator 2010 – 22 shkurt 2011)

Shkuarja e tij la një boshllëk institucional dhe për pasojë, pozitën e presidentit, si ushtrues detyre, e mori Jakup Krasniqi, duke qenë se ajo i takonte me Kushtetutë, duke qenë kryetar Kuvendi.  Shefi i Parlamentit, që tashmë ndodhet në Hagë, si i akuzuar nga Specialja, ushtroi detyrën e presidentit rreth 4 muaj, nga 27 shtatori 2010 deri më 22 shkurt 2011.

Behgjet Pacolli (22 shkurt 2011 – 30 mars 2011)

Kriza presidenciale u mendua se u zgjidh, kur kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli erdhi në këtë detyrë, të cilën e fitoi duke u zgjedhur president i shtetit, më 22 shkurt të vitit 2011. Por, në këtë pozitë ai qëndroi vetëm pak më shumë se 30 ditë, deri më 30 mars 2011, pasi mandati i tij u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese për shkelje procedurale në procesin e votimit. Kështu, mandati i tij ishte ndër më të shkurtit në historinë presidenciale të Kosovës.

Atifete Jahjaga (7 prill 2011 – 7 prill 2016)

Deri te Pacolli, të gjithë presidentët e zgjedhur në Kuvend vinin në këtë detyrë, duke qenë kryetarë partie. Pasuesja e tij, do ta ndryshonte këtë “obligim” dhe “nder” që u takonte vetëm liderëve politikë. Meqë partitë nuk merreshin vesh se kush duhet të bëhet president i radhës i shtetit, u desh një “angazhim” i shtuar i miqve ndërkombëtare të Kosovës, për ta bërë këtë të fundit me shef shteti.

Zgjidhja që doli të ishte e pranueshme për shumicën, nuk kishte asnjë lidhje me politikën. Ajo u gjet te lidershipi i fushës së sigurisë. Gjeneral majorja e policisë kosovare, Atifete Jahjaga u zgjodh kryetare më prill 2011, ndërsa e mbajti këtë pozitë me mandat e afat të plotë kushtetuese – 5 vjet, deri më 7 prill 2016. Një term i ri – “presidentja e zarfit” pati hyrë në diskursin politik e medial të vendit, për shkak të pretendimeve se emri i saj erdhi si propozim me pliko, nga miqtë ndërkombëtar të Kosovës

Jahjaga do të mbahet mend në historinë politike si presidentja e parë grua e Republikës së Kosovës dhe si e para kryetare që përfundoi mandatin e plotë pesëvjeçar.

Hashim Thaçi (7 prill 2016 – 5 nëntor 2020)

Në këtë kohë, vendi ndodhej në rrethana të reja politikë. Hashim Thaçi, që si kryetar i PDK-së kishte shërbyer edhe si kryeministër dhe zëvendëskryeministër vendi, nga 2007 deri më 2016, kishte shfaqur aspirata për t’u bërë president, pasi ia kishte lejuar Isa Mustafës së LDK-së, ta merrte pozitën e kryeministrit, në një marrëveshje mes dy partive, me kushtin që vetë Thaçi të bëhej president, kur Jahjaga të përfundonte mandatin.

Kështu edhe ndodhi. Hashim Thaçi, njëra nga figurat kryesore politike të vendit nga 1999 e këndej, i njohur edhe për rolin e tij gjatë luftës së Kosovës, por edhe për aktin e leximit të deklaratës së pavarësisë më 17 shkurt 2008, u votua shef shteti nga Kuvendi, më 7 prill 2016. Në këtë pozitë qëndroi 4 vjet, 6 muaj e 29 ditë, deri më 5 nëntor 2020, kur dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, nga Dhomat e Specializuara për krime të luftës dhe kundër njerëzimit. Thaçi ende ndodhet në Hagë, në pritje të vendimit të Gjykatës. Gjatë presidencës së tij, Thaci udhëhoqi bisedimet me Serbinë për normalizimin e situatës në Kosovë, të cilat ende nuk kanë përfunduar.

Vjosa Osmani (4 prill 2021 – sot)

Dorëheqja e tij e bëri, me automatizëm, presidente në detyrë, kryetaren e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. Këtë mandat Vjosa Osmani e mbajti 5 muaj, deri kur u zgjodh presidente fuqiplotë, më 4 prill 2021, duke qenë pjesë e bashkëpunimit politik me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

Ajo është kryetarja e dytë grua e Kosovës. Mandati i saj aktual, që deri sot ka zgjatur 4 vjet e 10 muaj, pritet të përfundojë në prill 2026. Osmani, që është edhe gruaja më e votuar në historinë e zgjedhjeve të Kosovës, ka shfaqur aspirata për ta mbajtur këtë post edhe për një mandat të ri.

Presidenti i Kosovës, sipas Kushtetutës, është Kreu i Shtetit, përfaqëson vendin në mbarë botën, nënshkruan ligje, dhe udhëheq politikën e jashtme sipas aktit më të lartë juridik të Republikës. Zgjedhja është indirekte, pra jo nga populli, por nga Kuvendi i Kosovës – dhe mandati zgjat pesë vjet.
/Kosovapress

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here