Presidenca kundër vendimit të ZRRE-së: Komentet tona u morën parasysh pjesërisht

0
331

Zyra e Presidentit të Kosovës ka bërë të ditur se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka marrë parasysh pjesërisht komentet E dërguara nga kjo zyrë për tarifat e energjisë elektrike.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj për faktin se vendimi final i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike për vitin tarifor 2022 ka marrë parasysh vetëm pjesërisht komentet e dërguara nga ZPRK-ja në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU”, është thënë në njoftim.

Kjo zyrë shpreh shqetësimin se vendimi i ZRRE-së është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës.

“Edhe pse rritja e tavanit të bllok tarifës nga 600 kWh në 800 kWh paraqet progres ne krahasim me propozimin fillestar, pasi që do të lehtësoj pjesërisht barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, hezitimi për të rikthyer 3 bllok tarifa siç ka qenë praktika deri më vitin 2017, është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës. Për më tepër, një vendim i tillë do të kontribuonte drejtpërdrejt edhe në krijimin e incentivave shtesë për investim në masa të efiçiencës se energjisë, e që përfundimisht do të duhej.Vendimmarrja inkluzive dhe vendosja e konsultimit publik në qendër të politikave rregullatore efektive duhet të jetë gjithnjë parimi i marrjes së vendimeve strategjike të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien qytetarëve”, thuhet tutje.

Sipas ZPRK-së, synimi kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike.

“Ritheksojmë që për ZPRK, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, i bëjmë thirrje institucioneve relevante të prioritizojnë angazhimin strategjik në këtë drejtim. Përfundimisht, pavarësisht cilitdo skenar final të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, ZRRE-së i bëjmë thirrje që shqyrtimin e radhës të rregullt të tarifave ta bazoj duke u thirr në strukturën e deritashme tarifore dhe jo në rezultatet e rishikimit të jashtëzakonshëm tarifor”, theksohet në njoftim.

Ndryshe, nga sot do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike të cilat u miratuan të martën në mbledhjen e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Bordi i ZRRE-së ka aprovuar dje rritjen e çmimit të rrymës për konsumatorët që tejkalojnë konsumin mbi 800 kilovat.

Këto tarifa do mbesin deri në vitin 2023.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat në orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Sipas ZRRE-së, bllok-tarifa nuk është diskriminuese pasi “zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë konsumatorët”.

Për bizneset nuk do të ketë blloqe tarifore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here