Në Prizren është hapur sot “Ekspozita Dimërore e Zejtarëve”.
Ekspozita është organizuar për herë të parë nga Oda e Ndërmarrësisë dhe Zejtarisë.
Posta e Kosovës ka ekspozuar produktet e filatelisë dhe shërbimeve të tjera.
Menaxheri Regjional i Postës në Prizren, Liri Ramadani, tha se për këtë ekspozitë është zgjedhur një koleksion i pullave, kryesisht me elemente historike dhe kulturore të Prizrenit.
“I ftoj qytetarët që të vizitojnë këtë ekspozitë dhe të njihen më afër me shërbimet e Postës së Kosovës”, u shpreh Ramadani.
Sipas tij, në Postën e Kosovës përveç shërbimeve postare, kryhen edhe shërbime financiare jo-bankare.
Ramadani përmendi lansimin e shërbimit të aplikimit për shtesat e fëmijëve, Vula Apostile, si dhe aplikimin në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
“Këto shërbime janë mirëpritur nga qytetarët. Ata më nuk kanë nevojë të shkojnë në Prishtinë për një Vulë Apostile, e as për një aplikim në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, sepse këtë mundësi po jua ofron Posta e Kosovës”, tregon Ramadani.
Për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë kanë aplikuar 100 zejtare, mirëpo për shkak të mungesës së hapësirës po marrin pjesë vetëm 45 prej tyre.
Kryetari i Odës së Ndërmarrësisë dhe Zejtarisë në Prizren, Afrim Tejeci, tha se ligji për zejtarin është i nevojshëm në Kosovë.
“Me ligj, zejtaria do të zërë vendin e merituar në zhvillimin e ekonomisë në vend”, tha ai.
Tejeci beson se ligji për mbrojtjen e zejtarisë shumë shpejt do të miratohet në Kosovë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, tregoi ndërkaq se janë duke punuar në ligjin e ri, i cili do t’i mbrojë zejtaret.
“Ne jemi duke punuar që zejtaret të mbrohen me ligj, sepse ruajtja e tyre është shumë e rëndësishme për ekonominë e Kosovës”, tha ajo./PrizrenPress.com/