Popullsia në Kosovë ka rënie rreth 8 për qind, 140 mijë banorë më pak se në vitin 2011

0
152

Rreth 1.6 milion banorë të Kosovës besohet se kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Në procesin e mëparshëm të regjistrimit të popullsisë, të mbajtur në vitin 2011, patën marrë pjesë rreth 1.74 milion banorë.

Kjo do të thotë se popullsia në Kosovë besohet të ketë rënë për rreth tetë për qind.

“Ne e dimë të gjithë që ka tkurrje [të popullsisë], por ka edhe ndryshim edhe brenda Kosovës. Disa qytete janë rritur në mënyrë enorme, ndërsa disa janë zvogëluar”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, në konferencën e mbajtur më 27 maj.

Për dallim nga regjistrimi paraprak, këtë vit, diaspora e Kosovës e ka pasur mundësinë të regjistrohej online përmes portalit eKosova.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se ky proces tani është zgjatur deri në fund të gushtit.

Sipas të dhënave të ASK-së, deri më tani besohet do të jenë rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës, të cilët nuk janë përfshirë në shifrën prej 1.6 milion banorëve që besohet se jetojnë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës e ka zgjatur procesin e regjistrimit sivjet – që ka nisur më 5 prill dhe duhej të përfundonte më 17 maj – për shtatë ditë, pas kërkesave nga disa komuna për zgjatje të afatit.

Më 5 prill, kur edhe pati filluar regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Një bojkot i ngjashëm ka ndodhur edhe në regjistrimin paraprak të popullsisë, në vitin 2011.

Ai proces nuk është mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa edhe serbët në komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e patën bojkotuar procesin.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here