Njësia Speciale e Policisë në asistim me plot zyrtarë të tjerë policë kanë zbarkuar mbrëmë pas mesnate në diskotekën ‘Velunia Club’ në rrugën “Ukë Bytyqi” në Prizren. Ndeja e organizuar ku po performonte Meda u ndal në gjysmë, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, arsyeja e intervenimit ka qenë prishja e rendit dhe qetësisë publike, për shkak të zhurmës së madhe – për faktin se gjatë verës diskoteka është në ambient të hapur.
Burimet e Sinjalit thonë se disa persona janë shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet e nevojshme, në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Sipas Kodit Penal, kushdo që shkakton zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët përreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00, gjatë ditëve të javës dënohet për kundërvajtje.
Sinjali ka tentuar të marrë një përgjigje nga pronari i diskotekës, Sefë Fetoshi, i cili ndodhet në arrati qe disa muaj, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin. As në numrin zyrtar të ‘Velunia Club’ nuk janë përgjigjur në thirrjet e redaksisë.
Ndryshe, Fetoshi ishte cak i Antidrogës, në aksionin e zhvilluar në muajin mars, në rajonin e Prizrenit dhe të Gjakovës, si i dyshuar për drogë.
Posa të ketë një konfirmim zyrtar nga Policia lidhur me dyshimet e ngritura ndaj personave të shoqëruar në stacion policor, Sinjali do të iu mbajë të informuar./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.