Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vazhduar planin operativ për parandalimin e garave të shpejtësisë në autostradë.
Më 15 prill, Policia thotë se ka parandaluar garat në tri lokacione të ndryshme: në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova” në afërsi të fshatit Mazgit, në autostradë në afërsi të hyrje/dalje Prizren Veri, dhe në autostradën “Arben Xhaferi” në afërsi të hyrje/dalje në fshatin Babush.
Policia ka shqiptuar shtatë gjoba në mesin e makinave të grumbulluara në hapësirën e autostradës, si dhe ka shpërndarë ato.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë:
Me datë 15.04.2023 në kuadër të planit operativ “Parandalimi i Garave të Shpejtësisë” Njësia për Kontroll të Autostradave në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj ka arritur që të parandaloj garat e shpejtësisë me automjete në tri lokacione të ndryshme (1) Autostrada “Dr. Ibrahim Rugova” në afërsi të fshatit Mazgit, (2) Autostrada “Dr. Ibrahim Rugova” në afërsi të hyrje/dalje Prizren Veri dhe (3) Autostrada “Arben Xhaferi” në afërsi të hyrje/dalje në Babush, ka hasur në disa automjete të cilat ishin ndaluar në hapësirën e autostradës me ç ‘rast është arritur të parandalohen garat ilegale të cilat rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe ndaj shoferëve janë shqiptuar shtatë (7) gjoba si dhe të njëjtit janë shpërndarë.