Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një plan operativ, të titulluar “Fermeri”.
Hetuesit policor nga njësia për Hetimin e Trafikimit për Narkotik në Prizren pas grumbullimit të të dhënave se dy të dyshuar janë të përfshirë në veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, kanë siguruar urdhër-kontrollin për të kontrolluar banesën dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve.
Me këtë rast sot në orët e para të mëngjesit ka filluar kontrolli dhe gjatë realizimit të tij janë gjetur dhe sekuestruar 805.5 gramë substancë e cila dyshohet të jetë heroinë, 1.1 gramë marihuanë dhe dëshmi të tjera relevante për rastin.
“Të dyshuarit: A.D., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar) dhe V.D., (viti i lindjes 1998, mashkull kosovar), janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me aktvendim nga prokurori i rastit janë dërguar në ndalim policor deri në 48 orë”.